Policia e Durrësit ka mundur të zbardhë ngjarjen, që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi. Një tentativë vrasje është regjistruar mëngjesin e sotmën në dhomën e një hoteli në qytetin bregdetar, si pasojë e të cilit ka mbetur i plagosur një 20-vjeçar, i fundit ky që ndodhet në spital jashtë rreikut për jetën.
Policia ka mundur të identifikojë dhe shpallë në kërkim autorin dhe bashkëpunëtorin e kësaj ngjarje, ndërsa një 22-vjeçare është arrestuar dhe një shtetas tjetër.
Si ndodhi ngjarja?
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në ambientet e dhomës së një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se në ambientet e dhomës së një hoteli, në të cilën kanë qenë shtetasit M. B., T. Sh., A. B. dhe A. S., shtetasi M. B. ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin A. S., 20 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve hetimore 26-vjeçari M. B., banues në Durrës, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në kërkim është shpallur edhe shtetasi T. Sh., 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit: A.B., 22 vjeçe, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Kjo shtetase, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit; E.H., 66 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar shtetasen A. B., ndërkohë që ka patur dijeni për ngjarjen.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë që është përdorur në këtë ngjarje, ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel