Shefi i OKB-së nuk i bojkoton Lojërat Olimpike të Pekinit

09/12/2021 20:27

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, do të jetë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, tha zëdhënësi i tij të enjten, pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan një bojkot diplomatik dhe disa vende të tjera perëndimore ndoqën shembullin amerikan.

“Sekretari i Përgjithshëm mori një ftesë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Dimërore të Pekinit dhe ai e ka pranuar atë”, u tha gazetarëve zëdhënësi Stephane Dujarric.

Shtetet e Bashkuara thanë se atletët e tyre do të vazhdojnë të garojnë, por se nuk do të dërgojnë një delegacion diplomatik në shenjë proteste kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë.

Australia, Britania dhe Kanadaja gjithashtu njoftuan bojkotimin diplomatik.

Franca nuk ka plane t’i bashkohet bojkotit, tha të enjten presidenti Emmanuel Macron, duke e quajtur një veprim të tillë “të parëndësishëm”.

Kina paralajmëroi shtetet që kanë vendosur për bojkot se do të “paguanin çmimin” e këtij veprimi.

Grupet e avokimit kanë mbështetur përpjekjen e udhëhequr nga SHBA-ja, me drejtoreshën e Human Rights Watch në Kinë, Sophie Richardson që e quajti atë një “hap vendimtar drejt sfidimit të krimeve të qeverisë kineze kundër njerëzimit që kanë cak ujgurët dhe komunitetet e tjera pakicë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA