Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin për Demokracinë tha se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë. Ajo u zotua se Kosova do të punojë me të gjitha shtetet për të “kundërshtuar ndërhyrjen dhe propagandën ruse dhe për ta promovuar paqen në mbarë botën”.
Osmani gjatë fjalimit të saj paraqiti zotimet e Kosovës, sa i përket sundimit të ligjit.
Ajo tha se sundimi i ligjit do të forcohet përmes zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe procesit të vetting-ut, i cili, sipas saj, “do t’i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë”.
“Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm”, tha Osmani.
Osmani si zotim të dytë bëri forcimin e rolit të gruas në shoqërinë e Kosovës.
“Ne gjithashtu do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore”, tha presidentja e Kosovës.
Osmani tha se Kosova mëton të themelojë Këshillin Presidencial prë Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, ku do të bëjnë pjesë institucione publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, dhe ky mekanizëm do të monitorojë zbatimin e zotimeve të Kosovës.
“Ky këshill tregon përkushtimin tonë afatgjatë për ta përmirësuar demokracinë tonë”, tha Osmani.
Top Channel