Shtatëmbëdhjetë vjeçari që humbi jetën të mërkurën pasdite në aksin rrugor Qendër Trebisht-Muçinë në Bulqizë ishte nxënës në shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës.
Ai ishte senator i klasës së vet dhe për shkak të ditës së pushimit kombëtar kishte shkuar në vendlindje pranë familjes.
Në lidhje me këtë ngjarje tragjike reagoi jo vetëm stafi mësimor, por edhe nxënësit e kësaj shkolle, të cilët përmes një mesazhi në rrjetet sociale, i shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe shokëve të 17-vjeçarit.
“Me keqardhje japim lajmin e hidhur se nxënësi i shkollës tonë, senatori i klasës së XII-U1 Florian Pupuleku ka humbur jetën në një aksident tragjik. Stafi dhe nxënësit e shkollës i shprehin ngushëllimet familjes dhe shokëve. Qoftë i xhehnetit dhe Zoti i dhëntë forcë familjes”, citohet nga mesazhi i shkollës.
Burimet nga policia thanë se makina tip fuoristradë me të cilën po udhëtonte 17-vjeçari Florian Pupureku ka rënë në një greminë rreth 100 metra. Pupureku ka humbur jetën, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i mjetit 20-vjeçari Elvis Terziu, i cili është dërguar në gjendje të rëndë në spital.
“Rreth orës 17.00, në Trebisht, Bulqizë ka rënë disa metra poshtë rrugës një automjet dhe për pasojë dyshohet se ka humbur jetën shtetasi F. P., 17 vjeç, dhe është dëmtuar rëndë shtetasi E. T., 20 cili po merr ndihmë mjekësore në spital”, njoftoi policia mbrëmjen e djeshme në lidhje me aksidentin.
Sikurse shihet edhe nga fotot që Top Channel ka mundur të sigurojë makina ka pësuar dëme të konsiderueshme. Dyshimet e para të policisë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë mendohet të jetë bërë lagështira në rrugë, por dhe shpejtësia nga ana e drejtuesit të automjetit.
Ndërkohë grupi hetimor është duke vijuar hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Top Channel