Zëvendëskryeministri, Artan Grubi të enjten ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese është shprehur pro realizimit të projektit të korridorit 8 dhe 10-të në Maqedoninë e Veriut.
Në një shënim të shkurtër në rrjetin social Facebook, Grubi e konsideroi një vendim të tillë madhor për interesat e vendit dhe për rrjedhojë kapërcimi i fundit i një pengese ligjore që tashmë i hap rrugë realizimit të një projekti madhor në infrastrukturë.
“Edhe pengesa e fundit ligjore në drejtim të realizimit të proektit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit tonë u tejkalua dhe tashmë do të negociohet për kontratën e ndërtimit me kompaninë Bechtel – Enka. Mirënjohje e madhe drejt gjykatësve kushtetues për profesionalizmin e treguar, kolegëve ministra, deputetëve dhe të gjithëve që janë pjesë e realizimit të ëndrrës së madhe”, shkruan zv/kryeministri.
Qeveria dhe kompania amerikane Bechtel Enka nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D në Maqedoninë e Veriut.
Sipas këtij memorandumi kompania Bechtel Enka do të marrë përsipër të gjithë procedurat për ndërtimin e autostradave në korridoret 8 dhe 10, nga projektimi dhe deri në realizimin e plotë të ndërtimeve.
Top Channel