Festivali i dritave në Lion të Francës tërhoqi një turmë gjigante njerëzish. Ishte një ndjesi e veçantë për ta që të merrnin pjesë në eventin e anuluar vitin që shkoi për shkak të pandemisë.
Por edhe këtë radhë, pjesëmarrja e kërkoi një “sakrificë” të vogël: Të gjithë kureshtarëve, iu desh që të mbanin maska, edhe pse festivali u organizua në vend të hapur.
Kjo nuk i pengoi njerëzit, vendas e turistë, që të shijonin mbrëmjen.
“Jam shumë e lumtur, është hera e parë që vij dhe shoh një festival dritash. Miqtë më kishin thënë që është e mrekullueshme, por tani mund ta shoh me sytë e mi. Më vjen keq që po bie shi, e është edhe koronavirusi nëpër këmbë, por sërish jam e kënaqur që ia dola ta ndjek nga afër”.
“Është e pabesueshme, vërtet shumë bukur. Dritat janë të magjishme. Një show fantastik dhe një mbrëmje shumë interesante, shijova çdo moment të saj”.
Franca regjistroi pak ditë më parë një rritje të shtrimeve në spital me COVID-19, pas shtimit të infektimeve.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Olivier Veran, vala aktuale e pandemisë në vend mund të mbërrijë pikun në muajin janar.
Top Channel