Nga e para vizitë në Tiranë e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për euroazinë Gabriel Escobar u ritheksua pozicioni i palëkundur i SHBA-së ndaj të shpallurit ‘non grata’ Sali Berisha.
Ndërsa mbështetja për Lulzim Bashën u artikulua nga Escobar në formën e një ftese për kryetarin e PD-së për të vizituar Washingtonin.
Kjo ishte ajo çfarë Gabriel Escobar donte të ndante me publikun, por Top Channel ka mundur të mësojë kontekstin e bisedës në takimin me Lulzim Bashën.
Escobar citohet të ketë deklaruar se “se lista e personave ‘non ngrata’ për Shqipërinë do të zgjerohet dhe se DASH do të punojë me institucionet shqiptare në identifikimin e biznesmenëve përfitues nga bashkëpunimi me politikanë të korruptuar.
Për dosjen e Sali Berishës që e çoi drejt marrjes së statusit Non-grata Escobar ka thënë se “është absrurde të mendosh që mban autorësinë e Soros.
“Është një dosje që ka nisur të formohet nga adminstrata e shkuar amerikane dhe çuar përpara nga kjo e sotmja”, ka theksuar Escobar.
Sipas zyrtartit të DASH “askush në pozitën e Zotit Berisha në të shkuarën nuk ka mundur të avancojë më tej agjendat e veta”.
Në këtë takim, Gabriel Escobar e ka vënë theksin në rëndësinë që u jep DASH udhëheqësve të rinj në Ballkan dhe për këtë ka sjellë shembullin e Albin Kurtit që ia arriti të mund estabilishmentin e vjetër në Kosovë.
Lulzim Basha pas takimit me Gabriel Escobar e përsëriti disa herë rëndësinë që merr për PD lufta ndaj korrupsionit dhe pranoi se pjesë e bisedës me Escobar ishte edhe Sali Berisha.
Deklarimet e Gabriel Escobar janë një mbështetje e qartë për Lulzim Bashën por jo mjaftueshëm për të ndryshuar kursin e ndërmarrë nga Sali Berisha. Megjithatë sanksionet e forta të departamenti amerikan i thesarit për disa serbë në Veri të Kosovës, janë kambanë alarmi jo vetëm për zotin Berisha por edhe për disa biznesmenë financues të lëvizjes së tij për të marrë drejtimin e PD.
Top Channel