Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, i mbështeti sanksionet ndaj disa serbeve te Kosovës, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar.
Ai tha se marrja e këtyre masave është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. “Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.
Në të kaluarën, Bashkimi Europian disa herë kishte tërhequr vërejtjen se veriu i Kosovës është zonë e cila paraqet sfidë të veçantë sa i përket krimit të organizuar. Por kur Policia e Kosovës kishte dërguar në veri njësitë e saj speciale, në një operacion kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, BE-ja ishte shprehur se duhet të evitohen “veprimet e njëanshme që çojnë deri te rritja e tensioneve”, duke thënë se për operacionin policor 13 tetorit, “nuk ka pasur koordinim”.
Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë futur në listën e sanksioneve: Millan Radoiçic, Zvonko dhe Zharko Vesellinovic, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojic dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova.
Top Channel