Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pasi Millan Radoiçiq, Zvonko Vesellinoviq dhe 11 persona të tjerë – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 8 dhjetor.
Presidenti i Serbisë ka thënë se organet përkatëse serbe do të hetojnë gjithçka, në rast se ekzistojnë “akuza serioze kundër tyre”. Në një konferencë për media, Vuçiq tha se ka pranuar një raport joformal nga Ambasada amerikane rreth këtij vendimi.
“Ata i akuzuan fillimisht për tregti ilegale. Në fund do t’i akuzojnë që nuk po e respektojnë kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk është asgjë e re. Nëse ekzistojnë akuza serioze, organet tona shtetërore do t’i hetojnë”, tha Vuçiq.
Presidenti serb shtoi se druan “që një dokument të këtillë do të mund të pranojë edhe për disa njerëz në funksione shumë më të larta në rajon”.
“Atëherë a do të reagojmë ashtu? Gjithçka që pranojmë me çfarëdo treguesi se dikush ka kryer ndonjë vepër penale, organet tona përgjegjëse do të jenë të gatshme që në po atë moment të verifikojnë gjithçka” tha Vuçiq.
Vuçiq njëkohësisht mohoi që Partia Përparimtare Serbe (SNS), në krye të së cilës është, ka marrë para nga, Zvonko Vesellinoviq.
“Asnjë dinarë nuk na ka dhënë, sa më përket mua për të tjerët nuk e di. Partia të cilën e udhëheqi ka më shumë se mjaftueshëm para falë mjeteve shtetërore dhe anëtarësimit. Këto janë burimet tona kryesore. Kurrfarë nevoje nuk kemi për çfarëdo para tjera”, përfundoi Vuçiq.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka vënë në listën e sanksioneve, nënkryetarin e Listës Serbe, ndryshe partisë kryesore serbë në Kosovë, MIllan Radoiçiq, biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, vëllain e tij, Zharkon dhe 10 persona të tjerë të lidhur me ta.
Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “këto sanksione shënjestrojnë autorët e korrupsionit, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818”, i cili bazohet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur si Akti Magnitsky.
Top Channel