Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve mes të cilëve një grup i krimit të organizuar me qendër në veriun e Kosovës.

Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja thuhet se Zvonko Veselinoviç si lider i Grupit të Organizuar Kriminal, është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

Veselinoviç është i përfshirë në një skemë masive korrupsioni me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët lehtësonin trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, drogës dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet ndër të tjera edhe për marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar në zgjedhje dhe për t’iu dhënë mbështetje financiare për ta. Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

Veselinoviç dhe grupi i tij u akuzuan si autorë të dyshuar për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç në janar të vitit 2018. Veselinovic dhe anëtarët e tjerë të grupit, Milan Rajko Radojçiç, Zeljko Bojiç dhe Marko Rosiç u cilësuan si bashkëpunëtor të dyshuar në vrasje”, vazhdon njoftimi

Në lidhje me lajmin ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka mirëpritur vendosjen e këtyre sanksioneve, duke sqaruar gjithashtu se institucionet janë të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, Osmani nënvizoi se do të bashkëpunojnë me SHBA-në në mënyrë që rajoni të mos kthehet në parajsë të sigurt për grupet kriminale.

I mirëpres sanksionet ndaj Veselinoviçit dhe grupit të tij të krimit të organizuar transnacional nga veriu i Kosovës. Institucionet janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me Shtetet Bashkuara të Amerikës për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, ka shkruar ajo.

Lista e zezë përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova të cilat janë të lidhura me disa nga emrat e përmendur më lart.

Në mesin e tyre janë shumë kompani që janë të lidhura me Zvonko Vesellinoviçin, si: “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore ‘INCOP’ nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.

Në listë është edhe kompania “Doo Rad” e Radulle Steviçit në Zveçan, si dhe disa kompani të Millan Radisavleviçit dhe Sinisha Nedelkoviçit.

Me futjen e tyre në këtë listë, pasuria e tyre bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “këto sanksione shënjestrojnë autorët e korrupsionit, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818”, i cili bazohet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur si Akti Magnitsky.

Blinken tha se SHBA-ja do të vazhdojë t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të thyer lidhjet midis aktivitetit kriminal dhe korrupsionit.

Vendimi është mirëpritur edhe nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Ajo shpërndau mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke e vënë sërish theksin në luftën e ashpër kundër korrupsionit.

Kujtojmë se ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim deklaroi dy ditë më parë se po ndërmerren veprime shtesë ndaj korrupsionit, financimit të paligjshëm, si dhe për forcimin e kapaciteteve për të ekspozuar aktet korruptive.

Gjithashtu Kim e krahasoi korrupsionin me kancerin, duke theksuar se të gjithë të korruptuarit do të jenë përgjegjës për veprimet e tyre në kundërshtim me ligjin.

Korrupsioni është kancer. SHBA po ndërmerr hapa shtesë për të parandaluar korrupsionin, për të luftuar financimin e paligjshëm, për të shpallur përgjegjës aktorët e korruptuar dhe për të forcuar kapacitetin për të ekspozuar aktet korruptive”, shkroi Kim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA