Koment/ Dimër i ftohtë si pasojë e konfliktit Ukrainë-Rusi

08/12/2021 09:09

Ende pa e marrë mirë detyrën, qeveria e re gjermane mund të gjendet para problemeve të mëdha për shkak të situatës në Evropën Lindore. Gjendja në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës është shqetësuese, mendon Oliver Rolofs.

Marrëveshja e koalicionit trepartiak, i ashtuquajtur semafor ia ka kushtuar me mençuri Rusisë pjesën më të madhe të hapësirës në kapitullin “Marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale”. Krahas fjalëve miqësore që vërtetojnë thellësinë dhe diversitetin e marrëdhënieve gjermano-ruse, shprehen edhe kritika të qarta ndaj kursit agresiv të Rusisë.

Flitet për “përpjekje për destabilizimin e Ukrainës, dhunën në Ukrainën lindore dhe aneksimin e paligjshëm të Krimesë” si dhe “kufizimin gjithëpërfshirës të lirive civile dhe demokratike”. Me fjalë të tjera: Rusia po bën një luftë psikologjike hibride që nuk kufizohet vetëm në Ukrainë dhe vendet fqinje, por është një kërcënim në rritje për të gjithë Perëndimin.

Pushtimi i Ukrainës si një skenar i vërtetë

Bombarduesit rusë me aftësi bartjeje të armëve bërthamore janë regjistruar nga avionët luftarakë të NATO-s mbi Detin e Veriut. Sundimtari bjellorus Alexander Lukashenko po shantazhon Bashkimin Evropian me refugjatë me mbështetjen e presidentit rus Putin. Në kufirin ruso-ukrainas, Kremlini mbledh pothuajse njëqind mijë ushtarë dhe armë të rënda. Sulmet kibernetike ndaj Ukrainës dhe BE-së janë në rend të ditës.

Në javët e fundit, konflikti me Rusinë është intensifikuar në disa fronte, nervat janë tendosur – një pushtim rus i Ukrainës tani klasifikohet si një skenar i vërtetë në Uashington dhe Kiev, dhe sjell kujtime të errëta të aneksimit rus të Krimesë në vitin 2014. Tani për tani, Berlini dhe BE-ja duhet të marrin parasysh shqetësimet e sigurisë së Ukrainës dhe të qëndrojnë në krah të Kievit. Zbutja ndaj Kremlinit do të kishte pasoja katastrofike – për të gjithë Evropën, jo vetëm për Ukrainën.

Lufta jo vetëm me armë

Për të mbrojtur Ukrainën, Gjermania dhe aleatët e tjerë duhet të kuptojnë se agresioni rus nuk kufizohet vetëm me tanke dhe trupa. Armiqësitë e Kremlinit ndaj Ukrainës janë pjesë e një modeli më të gjerë lufte që përfshin sektorët energjetikë, financiarë dhe ekonomikë. Rusia përdor vazhdimisht gazin si një armë politike. Pikërisht tani në një kohë kur Evropa po përballet me një krizë të madhe energjetike. Kohët e fundit Moska torpedoi kursin pro-evropian të qeverisë së re moldave me një mosmarrëveshje për gazin.

Krahas politikës me gazsjellësin Nord Stream 2, Rusia po kërcënon integritetin territorial të Ukrainës edhe me luftë rraskapitëse ekonomike. Ajo synon të fusë qeverinë ukrainase në një ngërç financiar. Këto përfshijnë procedura të shtrënguara doganore dhe krijimin e radhëve të gjatë dhe pritjeve në në kufi, vendosjen e ndalimeve të importit për produktet ukrainase dhe shkurtimin e kredive për industrinë ukrainase nga bankat ruse.

Sipas vlerësimeve të institutit amerikan Atlantic Council, aneksimi rus i Krimesë dhe lufta në Ukrainën lindore i kushtuan Kievit të paktën 100 miliardë dollarë shkatërrim, konfiskim asetesh dhe humbje të reputacionit që ka pësuar ekonomia ukrainase. Ndërkohë që në këtë konflikt kanë vdekur 14.000 njerëz.

Si mund të ushtrojë presion Evropa ndaj Rusisë

BE-ja do të kishte mjetet dhe fuqinë politike për t’u përgjigjur me vendosmëri. Por BE-ja ka nevojë për një kornizë të re strategjike për t’u marrë me Rusinë. Nga njëra anë, Brukseli duhet të vazhdojë të luajë kartën rregullatore dhe, shumë më konkretisht, të promovojë diversifikimin e tregjeve të energjisë. Së bashku me Francën, qeveria federale gjermane duhet të rrisë presionin ndaj Rusisë.

Kjo nënkupton rregullimin më strikt të gazsjellësit Nord Stream 2 dhe bindjen e Gazpromit që të dërgojë gaz në kufirin ruso-ukrainas. Pezullimi i procesit të certifikimit për Nord Stream 2 nga Agjencia Federale e Rrjetit në mes të nëntorit mund të interpretohet si një sinjal i qartë, ndonëse i vonuar, për Kremlinin se kursi i tij i destabilizimit nuk do të mbetet më pa përgjigje. Edhe Green Deal për të përmbushur objektivat ambicioze evropiane të klimës nuk është përdorur ende nga Brukseli si një mjet për të ushtruar presion ndaj Moskës. Ndryshimi i klimës krijon realitete të reja gjeopolitike që, me kalimin e kohës, do t’i kushtojnë Rusisë burime fitimprurëse të të ardhurave, si mjetet e saj kryesore të fuqisë dhe ndikimit.

Vijat e kuqe

Paralelisht me këtë, Berlini dhe Parisi duhet të ringjallin edhe formatin e Normandisë, një platformë negociuese që bashkon krerët e shteteve dhe qeverive të Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës. Refuzimi rus për të marrë pjesë do të ishte tregues.

Ndërsa përpiqet të kundërshtojë agresionin rus, BE duhet gjithashtu të sigurojë që qeveria ukrainase të marrë mbështetjen që i nevojitet për të qëndruar në rrugën e duhur. E lënë pas dore, ekziston një rrezik i madh që vendi të bjer sërish viktimë e oligarkëve aktivë politik si Viktor Medvedchuk dhe ish-presidenti Petro Poroshenko, të cilët hapin derën për rusët në një kohë kur një front i bashkuar është vendimtar.

Qeveria e re federale duhet të përdorë kanalet e saj të komunikimit me Moskën për të komunikuar qartë linjat e kuqe dhe pasojat e veprimeve agresive. Nëse fuqia e kombinuar diplomatike dhe ekonomike e BE-së, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, është e pamjaftueshme për të devijuar Rusinë nga kursi i saj aktual, Evropa do të përballet me një dimër të gjatë dhe të ftohtë.

Oliver Rolofs është ekspert i sigurisë dhe për shumë vite ka qenë shef për komunikim në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, ku krijoi programin e sigurisë së energjisë./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA