Me shumicë votash, socialdemokrati Olaf Scholz u zgjodh kancelari i ri Gjermanisë, duke i dhënë fund epokës 16-vjeçare të Angela Merkelit.
Kryetarja e Bundestagut, Bärbel Bas bëri të ditur se Scholz ka fituar 395 vota, ndërsa 303 deputetë ishin kundër.
Pati edhe gjashtë abstenime. Tre vota ishin të pavlefshme. Për t’u zgjedhur në këtë post atij i duheshin 369 vota. Për kancelarin e ri kanë votuar partitë SPD, të Gjelbrit dhe FDP, të cilët së bashku kanë 416 vota.
Kjo tregon se ndaj Sholzit, pati pak “tradhti”, pasi ai nuk i ka marrë të gjitha votat e partive në koalicionin e ri në pushtet.
Bundestagu gjerman ka aktualisht 736 deputetë. 63-vjeçari Olaf Scholz është kancelari i katërt i SPD-së pas Willy Brandt, Helmut Schmidt dhe Gerhard Schröderit.
Kancelari i ri pas zgjedhjes dhe pranimit të detyrës, shkoi në Pallatin Bellevue ku u prit nga Presidenti Frank-Walter Steinmeier, i cili edhe zyrtarisht e emëroi në këtë post.
Lufta kundër krizës së koronavirusit duket se do të jetë emergjenca e parë që do të kërkojë të gjithë energjinë e koalicionit të ri.
Mbrojtja e klimës renditet po ashtu si detyrë kyçe për të gjitha ministritë. Administrata dhe ekonomia do të bëhen më dixhitale, e janë planifikuar gjithashtu përmirësime për personat me të ardhura të ulëta, qiramarrësit dhe familjet.
Top Channel