Renato Sali me gradën “Oficer” ankohet në emisionin Fiks Fare për padrejtësinë që po i bën Drejtoria e Burgjeve duke mos e emëruar në pozicionin e fituar me konkurs po në këtë institucion.
Ai u thotë gazetarëve se ka qënë pjesë e konkursit të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duke fituar edhe gradën. Aktualisht punon në paraburgimin e IEVP Sarandës si punonjës i rolit bazë.
Ndërkohë që z.Sali ishte i 40-i në listën e fituesve të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në një takim që ai ka zhvilluar në Drejtorinë e Burgjeve ka rënë dakord që të emërohej oficer në IEVP Tepelenë, sipas gradës së fituar. Por, pavarësisht dakordësisë të marrë nga ky takim ,Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve emëroi në vend të tij një tjetër oficer z.Qirjako Dodi.
Ky i fundit ka qenë pjesë e konkursit të zhvilluar, por me më pak pikë se Renato Sali dhe i renditur në listë i 68-i. Z. Renato thotë se për këtë padrejtësi ka bërë ankesë dhe se z. Qirjako Dodi nuk qëndroi në atë pozicion, por për t’u hakmarrë ka depozituar një ankesë kundër z.Sali si person i korruptuar.
Për shkak të kësaj ankese as Renato nuk emërohet në pozicionin e fituar. Ndaj i drejtohet për një përgjigje Drejtorisë së Burgjeve e cila i thotë se vendi i oficerit në IEVP Tepelenë është vakant, por emërimi i tij nuk mund të bëhet sepse ai po hetohet nga SPAK .
Gazetarët e Fiksit i drejtohen me shkresa dy institucioneve për të marrë një përgjigje për çështjen e Renato Sali. Ndërkohë që kanë kaluar të gjitha afatet ligjore gazetarët e Fiksit shkojnë vetë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Në këtë institucion ju thuhen se janë në pritje të një përgjigje nga SPAK. Gazetarët i janë drejtuar edhe SPAK-ut për të marrë një përgjigje për Renato Sali.
Në përgjigjen e saj Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thotë se nuk po heton z.Renato Sali si të korruptuar, por nën hetim nga ana e SPAK është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për rekrutim të punonjësve në Policinë e Shtetit në shkelje të ligjit.
Top Channel