Procesi i ringritjes së kullës C të Kalasë së Durrësit, muret e së cilës u rrënuan gjatë tërmetit të 26 nëntorit u ndoq nga afër këtë të martë të ftohtë dhjetori nga ambasadoret e SHBA-së dhe Suedisë në vendin tonë.
Nga Durrësi, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ajo suedeze Elsa Hastad theksuan rëndësinë e ruajtjes së vlerave historike dhe të ndihmës së miqve në kohë të vështira.
Në veshjen e ambasadores amerikane ra në sy pallto e qendisur me motivet e mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”, zgjedhur enkas për këtë dalje publike që i bën jehonë vlerave historike dhe ruajtjes së thesareve të trashëgimisë sonë kulturore.
“Dy vjet më parë erdha në Durrës, në udhëtimin tim të parë jashtë Tiranës si ambasadore. Erdha për të parë se ç’kishte ndodhur pas tërmetit dhe dua sërish t’i shpreh ngushëllimet tona familjarëve të 51 viktimave të tërmetit. Shqipëria është një vend i veçantë, me një histori të jashtëzakonshme. Këto monumente qëndrojnë si dëshmitarë të historisë së jashtëzakonshme të kulturës së Shqipërisë. Kushdo që vjen këtu e admiron, ashtu si dhe dëshirën tuaj për t’i ruajtur këto thesare, monumente dëshmi”, tha Yuri Kim, ambasadore e SHBA në Tiranë.
“Në 2019 tërmeti na mësoi ku të ndërhyjmë dhe si të bashkëpunojmë edhe në raste të paparashikuara. Ky rrënim muri forcoi bashkëpunimin me partnerët, si ai me organizatën Trashëgimi pa Kufij dhe ambasadën amerikane që akordoi 800 mijë dollarë dhe mbështetje për restaurimet. Ky është një shembull i mirë i besimit, fleksibilitetit dhe miqësisë në kohë të vështira”, tha Elsa Håstad, ambasadore e Suedisë në Tiranë.
Në prani të tyre dhe mjaft ekspertëve dhe studentëve të degës së turizmit, autovinçi i specializuar për peshat e rënda vendosi një bllok autentik 24 tonësh mbi blloqet e tjera të Kullës, pikërisht nga vendi ku ishte rrëzuar.
“Ky është blloku i 5-të që u vendos dhe frika na doli që me bllokun e parë. Synimi ynë për të kthyer blloqet e rrëzuara në vendin e tyre dhe me konsultat e specialistëve e pamë që mundeshim për të ringritur kullën me materialet autentike”, tha Pirro Thomo, restaurator, arkitekt.
Ringritja e Kullës C, pjesë e mureve rrethuese të Durrësit antik, ndërtuar në periudhën e perandorit Anastas I, po bëhet nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij me mbështetjen e Fondit të Ambasadorëve.
Top Channel