Ish-sekretarja amerikane të Shtetit, Hillary Clinton ka nderuar kryeministrin shqiptar Edi Rama me çmimin “Inovator i Nderuar Global” për strehimin e afganëve në Shqipëri.
“Në emër të Vital Voices, kam nderin e madh t’jap çmimin Inovator i Nderuar Global, kryeministrit Edi Rama”, deklaroi ajo.
Në fjalën e saj, Clinton tregoi se kur e mori në telefon kryeministrin shqiptar për ta falenderuar në lidhje me këtë angazhim sipas saj të jashtëzakonshëm, nga ana tjetër Rama i ishte përgjigjur duke i thënë “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë”.
Ajo theksoi se kishte dëshirë që shumë udhëheqës në botë të kishin një qasje të tillë, duke shtuar më tej se në shtator, kryeministri Rama shënoi një rekord historik, pasi emëroi numrin më të madh ndonjëherë në Shqipëri të grave në qeverinë e vendit.
“Mbi 70 për qind e ministrave të kabinetit të tij qeveritar janë gra dhe disa prej tyre gjenden këtu këtë mbrëmje – partnere të barabarta në përpjekjen për të formësuar vendin të cilit i shërbejnë. Ai vazhdon ta vendosë barazinë gjinore në qendër të agjendës së qeverisë së tij dhe të ngrejë zërin kundër dhunës gjinore dhe krah forcimit të pjesëmarrjes ekonomike të gruas shqiptare”, tha Clinton.
Ajo tregoi se në mbarë globin të drejtat dhe siguria e grave janë në momente të vështira, por angazhimi i kryeministrit Rama për të çuar përpara mirëqenien, mundësitë në Shqipëri dhe për afganët e të tjerët, duhet të na frymëzojë të gjithëve për të vepruar.
Në orët e para të 2 shtatorit, 37 gra afgane u ulën në aeroportin e Rinasit me vetëm rrobat e trupit. Nga Kabuli i tensionuar, gratë dhe vajzat kryesisht aktiviste të shoqërisë civile dhe gazetare të njohura, ishin nisur me urgjencë për t’i shpëtuar plumbave.
Shpëtimi i tyre u mundësua nga “Vital Voices”, një fondacion i themeluar nga dy ish-Sekretaret e Shtetit në SHBA, Hillary Clinton dhe Madeleine Albright.
Top Channel