Bashkia e Tiranës ka nisur dëgjesat për projekt-buxhetin e vitit 2022. Në takimin me të rinj nga gjimnaze të ndryshme të kryeqytetit, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se, sidomos këtë vit, kur Tirana do mbajë titullin “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, bashkia do të ketë buxhetin më të madh ndonjëherë për të rinjtë.
“Ky është ndoshta buxheti më i madh i akorduar ndonjëherë për rininë nga Bashkia e Tiranës. Kemi parashikuar një listë prej 1000 aktivitetesh dhe me gjithë këto hapësira që ka Tirana, do të kemi edhe 10 aktivitete në ditë, që s’i ngjajnë fare njëri-tjetrit, por që qyteti të gëlojë. Kjo do të jetë edhe një mënyrë për të ndryshuar pak imazhin e vendit”, tha Veliaj. Ai shtoi se pas suksesit me qendrën teknologjike “Tumo”, jo vetëm “Piramida” do të shndërrohet në qendrën më të madhe të teknologjisë në Rajon, por do të bëjmë edhe disa qendra të tjera të këtij lloji.
“E shoh të mundur të bëjmë disa qendra teknologjike nëpër Tiranë. Bashkë me kolegët e TUMO-s kemi parë kampusin e ri, që po bëjmë te Universiteti Bujqësor. Aty mund të bëjmë një degë satelit, ashtu si shumë universitete kanë një kampus më të vogël. Në vend që të vijnë 100 nxënës nga Kodër-Kamza në qendër të Tiranës, mjafton të shkojnë dy instruktorë atje. Gjithashtu, lajmi i mirë është që në janar hapet shkolla elitë e teknologjisë “Holberton”, që është shkolla më e mirë nga Sillicon Valley. Jemi në tratativa edhe me “Ecole Cahen”, që është shkolla franceze e kodimit me një metodologji tjetër, gjithashtu shumë kreative, dhe ka arritur shumë sukses në Paris. Sapo kemi filluar negociatat, e besoj se do të shkojnë me sukses, një tjetër koncept që quhet “Factory Berlin”, që ishte një ide inovatore e disa të rinjve”, nënvizoi Veliaj.
Më tej, kreu i Bashkisë vuri në dukje se vetëm këtë semestër në Tiranë u hapën 14 shkolla të reja, diçka që nuk kishte ndodhur më parë në Tiranë.
“Këtë javë do hapim dhe dy shkolla të reja në Kombinat. Shkolla “Lasgush Poradeci” që është konceptuar, jo vetëm më një palestër të mirë, por dhe me auditor. Do të thotë se mund të përdoret jo vetëm për festat e shkollës, po për çdo nevojë të komunitetit, një hapësire për 200-250 persona dhe është fantastike. Nuk ka nevojë njeriu fare t’i hipë makinës dhe të vijë në qendër të Tiranës, ku fare mirë mund t’i bëjmë shumë prej këtyre aktiviteteve, edhe për vitin e rinisë të decentralizuara në të gjitha këto hapësira. Shkolla tjetër që do hapim fill pas “Lasgush Poradecit” është “16 Shtatori” në Pezë. Edhe ajo një super shkollë, është ndërtuar komplet nga e para”, përfundoi Veliaj.
Top Channel