Qeveria ka ndryshuar për të gjashtën herë me akt normativ, buxhetin e vitit 2021.
Me ndërhyrjet e fundit, financat kanë rritur pritshmëritë për të ardhurat me 18.2 miliardë lekë më shumë, teksa po në këtë vlerë ka shtuar edhe shpenzimet buxhetore duke e çuar totalin e tyre 628.2 miliardë lekë.
Sipas aktit normativ të botuar në Fletoren Zyrtare qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 3.5 miliardë lekë si bonus fundviti për rreth 683 mijë pensionistë ku secili prej tyre do të përfitojë nga 5 mijë lekë shpërblim.
Pjesa tjetër e shpenzimeve janë shpërndarë në programet buxhetore, ku një pjesë e konsiderueshme ka shkuar shtesë për rindërtimin duke e çuar në 35 miliardëve lekë fondin për këtë qëllim, nga 28 miliardë lekë që ishte planifikuar në fillim të vitit.
Me aktin normative të fundit qeveria ka alokuar dhe 500 milionë lekë si transfertë specifike për 61 bashkitë e vendit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, një nga shqetësimet kryesore të pushtetit vendor.
Teksa të ardhurat dhe shpenzimet janë prekur, defiçiti buxhetor ka mbetur i pandryshuar nga akti i parafundit normativ dhe planifikohet në vlerën e 120.5 miliardë lekëve në fund të këtij viti.
Top Channel