Një gjykatë në Mianmar e dënoi me katër vjet burgim lideren e rrëzuar nga pushteti, Aung San Suu Kyi. Ajo u gjet fajtore për nxitje kundër ushtrisë dhe shkeljen e kufizimeve kundër COVID-19.
Vendimi i 6 dhjetorit po shihet si vendimi i parë gjyqësor në një seri dënimesh që mund ta burgosin për dekada të tëra 76-vjeçaren, Suu Kyi, partia e së cilës u rrëzua nga pushteti përmes një puçi ushtarak në muajin shkurt.
Që prej puçit ushtarak, Suu Kyi ka qëndruar në arrest shtëpiak dhe ndaj saj janë ngritur 11 akuza përfshirë edhe akuza për korrupsion, mashtrim në zgjedhje, shkelje të ligjit për sekrete shtetërore dhe shkelje të protokolleve kundër koronavirusit.
Ende është e paqartë nëse Suu Kyi do të dërgohet në burg për ta vuajtur dënimin.
Ekipi i saj ligjor i mohon të gjitha akuzat.
Ish-presidenti i Mianmarit, njëherësh anëtar i partisë Lidhja Kombëtare për Demokraci, Win Myint po ashtu u dënua me katër vjet burgim nën akuzat e njëta si Suu Kyi.
Organizata Amnesty International tha më 6 dhjetor se “dënimet e ashpra ndaj Aung San Suu Kyies për këto akuza false janë shembulli i fundit i vendosmërisë së ushtrisë për ta eliminuar të gjithë opozitën dhe për të ngufatur liritë në Mianmar”.
Suu Kyi, që është edhe laureate e Çmimit Nobel për Paqe, ka luajtur rol kyç në demokratizimin e pjesshëm të Minamarit, që më herët njihej me emrin Burma.
Nën juntën ushtarake, që u rivendos pasi ushtria rrëzoi udhëheqësit e vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike, anëtarë të tjetër të lartë të partisë së Suu Kyies, Lidhjes Kombëtare për Demokraci, po ashtu janë dënuar me dënime me burg.
Top Channel