Duke e çmuar lart kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës, krerët e institucioneve kanë vënë kurora lulesh, më 6 dhjetor para bustit të ish-senatorit amerikan, Bob Dole në Prishtinë.

Ish-senatori amerikan, Bob Dole, vdiq më 5 dhjetor në moshën 98-vjeçare. Dole, një pjesë të karrierës ia kushtoi Kosovës dhe rrugës së saj drejt pavarësisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “gjatë viteve të 90-a kur askush nuk dinte për ekzistencën e shtetit të Kosovës, ishte senatori Dole i cili asnjëherë nuk i ndali përpjekjet e tij për pavarësinë e vendit”.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se senatori Dole ka bërë shumë për paqe në Evropë madje jo vetëm si politikan, por edhe si ish-veteran i luftës.

Sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me vdekjen e senatorit Dole, Kosova humbi një mik të madh.

“Ai e ka shtyrë përpara pavarësinë e Kosovës andaj populli i Kosovës do të jetë përjetësisht mirënjohjes për punën e tij”, tha Konjufca.

Bashkë me liderët e institucioneve të Kosovës ishte edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe.

“Dole ishte mik i madh i Kosovës. Ai punoi për pavarësinë e Kosovës dhe u përkujdes që edhe në Senatin amerikan të kishte përkrahje për këtë”, tha Giacobbe.

Në vitin 1990, Dole ka udhëhequr një delegacion të SHBA-së në Kosovë, vizitë e cila, siç ka deklaruar më vonë në një postim në Twitter, “ishte fillimi i një rrugëtimi drejt pavarësisë për popullin e Kosovës”. Për nder të angazhimit të tij për Kosovën, busti i tij është ​vendosur në Prishtinë më 30 gusht, 2020.

Në atë kohë, përmes një video-mesazhi, Dole ka shprehur mirënjohjen për inaugurimin e bustit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA