Avion spiun amerikan mbi Detin e Zi, rusët hapin zjarr në kufi me Ukrainën

06/12/2021 13:34

Një tjetër incident në Detin e Zi e ka vënë në alarm Moskën. Su-27 e saj kanë shoqëruar, për disa minuta një avion spiun amerikan RC-135 që po fluturonte në zonë sipas zyrtarëve rusë.

Ky episod vjen në një kohë përshkallëzimi të ndjeshëm të tensioneve dhe frikës së shpërthimit të një lufte.

Rusia e ka intensifikuar stërvitjen e saj ushtarake në kufi me Ukrainën duke përdorur zjarr të vërtetë. Dy ditë më parë, presidenti amerikan Joe Biden e paralajmëroi hapur Moskën se një sulm i saj mbi vendin e vet fqinj, do të kishte pasoja të forta.

Biden tha se do ta bëjë “shumë, shumë të vështirë” për Presidentin rus Vladimir Putin që të ndërmarrë veprime ushtarake në Ukrainë dhe se administrata e tij po përpilon një sërë iniciativash për të ulur agresionin rus.

Ka shenja se Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini janë pranë zhvillimit të një bisede mes Biden dhe Putin, megjithatë tensionet mbeten të larta ndërsa retorika e Moskës konsiderohet si gjithmonë e më agresive.

Me herët, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov e akuzoi Perëndimin se “po luan me zjarrin” duke mos marrë parasysh qëndrimin e Rusisë për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s me vende të ish-Bashkimit Sovjetik.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që Ukraina t’i bashkohet NATO-s, e cila e ka ruajtur mundësinë e anëtarësimit, por nuk ka përcaktuar një periudhë kohore për këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA