Bledar Jambelli allias Rikardo Muho, porositësi i vrasjes së Komisarit Artan Cukut rezulton të jetë një prej të shumëkërkuarve shqiptarë që u pajisën me identitet fals grek si edhe personi që ka spiunuar “kreun e grupit” që nxirrte pasaporta false. Sipas raportimeve, Bledar Jambelli dyshohet se e mori pasaporten greke nga grupi kriminal që u ndryshonte identitetin kriminaleve shqiptarë, me qëllim që t’i shmangeshin drejtësisë. Ai kishte siguruar në Xania një kartë identiteti dhe pasaportë greke në emrin Xristos Xamkidis.
Në prill të 2020-ës Jambelli i kishte dhënë policisë informacione të rëndësishme për aktivitetin kriminal të grupit që falsifikonte pasaporta. I thirrur nga Prokuroria e Pireut, për një çështje kontrabandë cigaresh, Bledar Jambelli allias Rikardo Muho, si një “klient i pakënaqur”, kishte treguar identitetin e një prej krerëve të grupit.
Media greke shkruan se ai u shoqërua në prill të 2020 me urdhër të Prokurorisë së Pireut që po hetonte për një çështje kontrabande cigaresh. Shkaku që ai u thirr ishte fakti që me identitetin e rremë të Humos, pjesëtarë të grupit kishin hapur nipt për një kompani të përshirë në kontrabandë cigaresh.
Para hetuesit të Pireut, i cili e thirri për shpjegime, krimineli shqiptar nuk hezitoi të përmendte një nga anëtarët kryesorë të grupit, një 62-vjeçar emigrant nga Kazakistani, me një përfshirje të mëparshme në rastet e trafikimit. “Më falni vëlla, nuk bëhet për 25, të paktën 30. Duhet të na japë 15 mijë euro ne dhe 15 mijë euro i duan edhe në polici”, dëgjohet të thotë në përgjime drejtuesi i organizatës.
Në drejtim të grupit kriminal të falsifikatorëve rezultojnë dy kushërinj grekë nga Kazakistani. Madje, 37 vjeçari, Marius Dhiamanti nga Delvina, i vrarë në Athinë në 16 nëntor, posedues i identitetit Stergios Maznevidis, rezulton se mbante kontakte me një nga drejtuesit e grupit deri 2 muaj para se të ekzekutohej nga vrasës me pagesë.
Bledar Jambelli allias Rikardo Muho është shpallur në kërkim ndërkombëtar me një vendim të datës 18 prill 2018, që është rifreskuar së fundmi nga Policia e Shtetit, ndonëse kërkimet për të kishin nisur prej qershorit të vitit të kaluar.
Me një vendim të dhënë në mungesë, të mbajtur sekret për mediet dhe në fshehtësi të plotë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë për Bledar Jambellin. Masa e sigurisë është caktuar më datë 12 qershor të vitit 2017 dhe menjëherë vendimi i është përcjellë Policisë së Shtetit për ekzekutim.
“Shtetasi Bledar (Rikardo) Jambelli (Muho) shpallet në kërkim me kartelë të ‘kuqe’, pasi me shkresën nr.3303, datë 17 prill 2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda, Tiranë, ka dërguar urdhrin e datës 12 qershor 2017 për ekzekutimin e vendimit nr.292, të datës 12 qershor 2017 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për veprën penale ‘Vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 79/b të Kodit Penal. E ndjek Seksioni për Krimet ndaj Jetës. Të ndalohet”, ky është urdhri i shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Bledar Jambellit.
Top Channel