Mijëra demonstrues bllokuan rrugët në Serbi të shtunën. Shkak u bë një plan i qeverisë për të lejuar gjigantin e minierave Rio Tinto të nxjerrë litium nga Serbia.
Në kryeqytetin Beograd, protestuesit bllokuan një autostradë dhe një urë kryesore që lidh qytetin me periferitë ndërsa turma brohoriste me parulla antiqeveritare. Protesta më të vogla u mbajtën në qytete të tjera serbe.
“Ata lejuan kompanitë e huaja të bëjnë çfarë të duan në tokën tonë. Na vendosën në një pjatë, ata mund të vijnë dhe të marrin çfarë të duan,” i tha AFP gjatë protestës Vladislava Cvoric, një ekonomiste 56-vjeçare.
Depozita të konsiderueshme litiumi, një komponent kyç për bateritë e makinave elektrike, gjenden rreth qytetit perëndimor të Loznicës, ku kompania anglo-australiane po blen tokë, por ende pret dritën jeshile nga shteti për të punuar në minierë.
Kompania synon të investojë 2.4 miliardë dollarë. Kritikët kanë akuzuar qeverinë e presidentit Aleksandër Vuçiq se ka krijuar terrenin për përvetësimet e paligjshme të tokës duke injoruar shqetësimet mjedisore. Demonstratat vijnë disa muaj përpara zgjedhjeve kombëtare.
Top Channel