Rrjeti televiziv CNN, shkarkoi të shtunën gazetarin Chris Cuomo. Kjo masë ndaj tij erdhi menjëherë pasi dolën në dritë hollësi të reja se ai ndihmoi të vëllanë, ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Andreë Cuomo, teksa politikani u përball me akuza për ngacmim seksual.
Rrjeti pezulloi Cuomon në fillim të javës për të hetuar sjelljen e tij, pasi prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut, publikoi dokumente që tregonin se ai ishte më i përfshirë se sa dihej më parë në ndihmën për të hartuar strategji dhe për të kontaktuar gazetarët e tjerë, ndërsa i vëllai luftonte për të mbajtur punën e tij.
Rrjeti CNN angazhoi një kompani ligjore për shqyrtimin e situatës e cila rekomandoi shkarkimin e Cuomos dhe shefi i CNN-it, Jeff Zucker, informoi gazetarin të shtunën për këtë vendim.
Rrjeti tha se “ndërsa zhvillohej procesi i vlerësimit, informacion shtesë doli në dritë”. CNN nuk do të diskutojë informacionin apo të përcaktojë nëse kishte ndonjë lidhje me vëllanë e tij.
Cuomo postoi një deklaratë në Twitter duke e quajtur vendimin zhgënjyes.
“Kjo nuk është mënyra si do të doja të përfundonte koha ime në CNN, por ju kam thënë tashmë pse dhe si e ndihmova vëllanë tim. Pra, më lejoni të them tani, sado zhgënjyese të jetë kjo, nuk mund të jem më krenar për ekipin në ‘Cuomo Prime Time’ dhe punën që bëmë si emisioni numër 1 i CNN-it në kohën më konkurruese”, shkroi ai.
Top Channel