Tiranë/ U kapën në flagrancë duke transportuar 4 emigrantë, dy në pranga

04/12/2021 13:53

Finalizohet operacioni policor i koduar “COUPLE”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me mjete të marra me qira, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, nga Korça drejt Tiranës, e më pas në drejtim të Kosovës dhe me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “COUPLE”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. U., 41 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe i shtetases D. L. (Xh)., 35 vjeçe e dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”

Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në dalje të tunelit të “Krrabës”, duke transportuar me një mjet të marrë me qira, 4 emigrantë, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së kundrejt shpërblimit monetar.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 4 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA