Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha se sanksionet e reja të vendeve perëndimore ndaj Bjellorusisë janë “të paligjshme dhe çnjerëzore”.
Zakharova bëri një deklaratë me shkrim lidhur me vendimin për sanksione që Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanadaja morën më 2 dhjetor kundër Bjellorusisë me arsyen për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe përdorimin e emigrantëve si mjet politik.
Duke i cilësuar këto sanksione si “ndërhyrje në punët e brendshme të Bjellorusisë” Zakharova tha se vendet perëndimore po përpiqen të ndëshkojnë Bjellorusinë me arsyen e krizës së emigrantëve.
“Kjo krizë e emigrantëve është nxitur me politikën e vendeve perëndimore për ‘të eksportuar demokracinë‘ në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut”, tha Zakharova.
Ajo tha se “vendet perëndimore janë ‘me dy fytyra’ në çështjen e të drejtave të njeriut”.
“Dënojmë masat e reja kufizuese që SHBA-ja, BE-ja, Britania dhe Kanadaja vendosën njëkohësisht më 2 dhjetor kundër Bjellorusisë. Këto sanksione janë të paligjshme, ashtu sikurse kufizimet e zbatuara jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këto janë çnjerëzore për shkak se ndikojnë negativisht jetën e qytetarëve të zakonshëm të Bjellorusisë”, tha Zakharova.
Zëdhënësja Zakharova tërhoqi vëmendjen se kjo krizë mund të zgjidhet me rrugën e ndërveprimit mes vendeve në fjalë. Ajo u bëri thirrje vendeve perëndimore që të heqin dorë nga “standardi i dyfishtë” dhe “politika e presionit me sanksione jo legjitime” si dhe të zgjidhin krizën e emigrantëve duke bashkëpunuar me qeverinë e Bjellorusisë./AA/
Top Channel