Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook një video me rrëfimet nga disa pacientë të shtruar në spitalin Infektiv.
Kryeministri vijon të bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dozën e vaksinës anti-Covid, ndërsa duke iu referuar deklaratave prekëse që bëjnë të shtruarit në spital, Rama thotë se kjo është pasojë e vendimit për të mos u vaksinuar.
“Në familjen time janë të gjithë të vaksinuar, përveç meje sepse ajo ishte zgjedhja ime, dhe kjo zgjedhje e gabuar më çoi këtu ku jam. Të gjithë të rinjtë duhet të vaksinohen pa përjashtim”, shprehet një i ri.
“Po ju them të gjithëve të vaksinohen se do përfundoni si puna ime këtu”, thotë një paciente e shtruar në Spitalin Infektiv.
Ndërsa një tjetër pacient i bën thirrje të gjithë qytetarëve: “I bëj thirrje të gjithë moshës të rinjve, se 45 vjeç jam edhe më të vegjël, të vaksinohen një orë e më parë. Po të ishim vaksinuar do ishim në shtëpi me kalamajtë”.
Kujtojmë se, Kryeministri Edi Rama këtë të enjte u vaksinua me dozën e tretë përforcuese kundër koronavirusit, ndërsa u bëri apel të gjithë punonjësve të administratës shtetërore që të vaksinohen, pasi do të vijë një ditë që nuk do të kthehen më në punë.
Kryeministri Rama theksoi më tej se mund të merret vendimi për të mos lejuar të futen në Shqipëri të gjithë personat e pavaksinuar.
Top Channel