OBSH: Omicron në 38 vende, asnjë i vdekur, Basseti- koronavirusi po dobësohet!

04/12/2021 12:41

Varianti i ri i koronavirusit, Omicron, është identifikuar në 38 vende të botës por deri tani, sipas OBSH-së nuk është regjistruar asnjë vdekje prej tij.

“Unë nuk kam marrë asnjë informacion se ka humbur jetën ndonjë person që ishte infektuar me omicron”, tha Christian Lindmeier, zëdhënëse e organizatës me bazë në Gjenevë. Organizata vlerëson se do të duhen disa javë që të mësohen me saktësi efektet e mundshme të Omicron. “Të dhënat paraprake tregojnë se transmetimi i tij është më i lartë, por kjo është gjithçka që dimë tani për tani”, shpjegoi Lindmeier.

Ndërkohë virologu i njohur Italian, profesor Matteo Bassetti thotë se Omicron, ndonëse më infektues se Delta, është më i menaxhueshëm. “Ky variant i ri, që ndoshta po e terrorizon pa të drejtë botën, përmban një copëz virusi të gripit të zakonshëm, dhe kjo shpjegon përse ka simptoma më pak të rënda se Delta.
Falë këtij materiali gjenetik të virusit të gripit, Omicron është më shumë njerëzor e më pak shtazor edhe se Sars Cov 2 fillestar”, thotë eksperti që mendon se ky duhet konsideruar një lajm i mirë, dhe shenjë se koronavirusi po dobësohet. Qendra për Studimin e Viruseve në Glasgou të Anglisë, ndër të paktët laboratore që ka paisjet e duhura për të studiuar pathogjenët si varianti Omicron i koronavirusit ka filluar tashmë testimin për të mësuar më shumë rreth këtij varianti të ri dhe rreth efektshmërisë së vaksinave ndaj tij..

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA