Ish kreu historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur këtë të premte në Devoll për të mbajtur foltoren e radhës.
Përballë mbështetësve të tij, Berisha tha se e gjithë kjo nismë nuk është një betejë personale dhe se foltorja po merret me rindërtimin e demokracisë!
Ish kryeministri Berisha ka folur edhe për shpalljen e tij ‘non grata’ nga DASH dhe tha se kjo është beteja e tij e vetme personale dhe se ka vendosur të përballet me një padrejtësi e bërë nga një armik i egër, George Sorros!
“Lidhur me tezën e tyre se Berisha po bën një betejë personale. Unë ju them ju me sinqeritetin më të madh nuk është betejë personale, kam në çështje personale dhe nuk e mohoj, por që ditën e parë e kam shpall çështje personale dhe e kam menduar mirë para se ta shpall çështje personale, kam vendosur të përballem vetë me forcat e mia me një padrejtësi ekstreme që u bë nga një armik i egër i demokracisë, George Sorros, me veglën e tij Edi Ramën. Unë njihja më shumë se Edi Rama në atë vend të bekuar por zgjodha të mbroj dinjitetin tim, ndaj shkova në gjykatë për shpifje. Të thuash se unë po bëj betejë personale me foltoren është marrëzi. Foltorja dhe gjykata janë shumë larg njëra tjetrën, foltorja po merret me rindërtimin e demokracisë”, tha Berisha.
Berisha nuk ka kursyer as akuzat për kreun aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili vendosi ta përjashtojë nga grupi parlamentar i PD.
“Ka një moment të pamohueshëm, ndonëse i betuar se nuk do ta pranoja kryetar në këtë mandat që na turpëroi dhe na çoi nga humbja në humbje, ky më krijoi të gjitha kushtet pasi unë kisha deklaruar që do kthehem në skenën politike. Ky më përjashton në shkelje flagrante të statutit nga grupi parlamentar. Ky ishte dhunim i statutit të partisë dhe parimeve të partisë, një parti sovrane s’mund të cenojë sovranitetin e vet. Ky ishte pjesë e atij skenari dhe unë e dija, por për mua nuk kishte ndonjë rëndësi kaq të madhe, sepse nuk kishte firmos ky por përdorej në çdo lloj aspekti. Mora këtë nismë që ju e shndërruat në mrekullinë më të madhe shqiptare. Ai që po lufton në mënyrë personale për dosjet e tij është njeriu i marr peng nga Edi Rama, ne jemi djem burra e gra të lirë, jetojmë me djersën tonë”, tha më tej Berisha.
Top Channel