Moti i keq/ Policia shton masat! Pezullohen 138 leje drejtimi, gjobiten edhe 6699 drejtues mjetesh

03/12/2021 14:35

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë fundjavës janë shtuar masat, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Kështu duke marrë parasysh se për shkak të motit të keq rreziku i përfshirjes në ngjarje rrugore është i madh në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve policore, kryesisht të Policisë Rrugore, me mbështetje nga Patrullat e Përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”, në qendër qarqe.

Gjatë kësaj jave janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 2678 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve të vazhdueshme janë evidentuar dhe ndëshkuar 4021 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Janë pezulluar 138 leje drejtimi, nga të cilat 79 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 45 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 14 për qarkullim në sens të kundërt.

Janë arrestuar 29 drejtues mjetesh, nga të cilët 21 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA