Rreziku nga Omicron/ Manastirliu në Kuvend: Jemi përballë një valë të re potenciale! Vaksinimi dhe masat e thjeshta, të vetmet ‘armë’ efikase

02/12/2021 11:24

Teksa varianti Omicron i COVID ka ngjallur panik në botë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha në Kuvend se e vetmja ‘armë’ për të fituar këtë ‘luftë’ është vaksinimi.

Manastirliu tha se vendi ndodhet përballë një vale të re të potencial e të COVID, duke theksuar se zgjidhje nuk janë masat ekstreme, por vaksinimi dhe respektimi i masave të thjeshta: distancimi, higjiena dhe mbajtja e maskës.

Fjala e ministres

Në kushtet kur e gjithë Bota është në alert të shtuar për shkak të variantit të ri OMICRON, për të cilin ende dihet shumë pak, por mjaftueshëm, sa për të forcuar gatishmërinë në këto muaj të sezonit të dimrit që sapo ka nisur, lipset të jemi të gjithë bashkë për ta përballuar edhe këtë sfidë të radhës.

E teksa janë duke u vlerësuar masat që duhen marrë, si edhe forcën goditëse të një vale të re potenciale për shkak të variantit Omicron – sigurisht në përputhje me rekomandimet e OBSH për të mos kaluar në kufizime drastike – të gjithë ekspertët, kudo në botë, flasin në UNISON kur rekomandojnë të vetmen mbrojtje që ka bota: VAKSINËN.

E ndërkohë që virusi ndryshon dhe shfaqet në formën e varianteve të ndryshme, në anën tjetër, nuk ka ndryshuar aspak gatishmëria që ne kemi treguar qysh prej ditës së parë.

Strukturat e Ministrise se Shëndetësisë kanë forcuar më tej vigjilencën, qoftë sa i përket survejancës në territor dhe identifikimit të hershëm, me qellim këputjen e sa më shumë hallkave të zinxhirit të infektimit nga infeksioni Covid-19.

Po kështu shërbimi nga mjeku i familjes deri tek strukturat spitalore janë të fuqizuara dhe gati të përballojnë skenarët të cilët ne kemi përllogaritur për situatën e dimrit.

Kudo në botë zien debati mes komunitetit shkencor, i cili mbështet vaksinën jetëshpëtuese, dhe një mase njerëzish të keqinformuar e të manipuluar prej vërshimit të lajmeve të rreme.

Dhe siç ndodh gjithmonë, të vërtetat sidomos kur bëhet fjalë për shkencën, i gjejmë tek shifrat. Një shifër na thotë se 94% e pacientëve të shtruar në spitalin infektiv, janë të PAVAKSINUAR!

Një tjetër shifër, e bërë publike nga Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve e SHBA vlereson se: VAKSINIMI ul me 84% rrezikun e shtrimit në spital.

Unë e kuptoj shumë mirë ndikimin që ka mbi qytetarët faktori LODHJE. Ka më shumë se një vit, që ekspertët më të mirë të OBSH paralajmërojnë për ndikimin e tij tek njerëzit. Mund të jetë kjo arsyeja pse sot, nuk është temë e pëlqyer të flasësh për pandeminë dhe të rekomandosh vaksinën.
Por detyra jonë është të mbrojmë jetën e qytetarëve. Dhe për të mbrojtur shëndetin publik duhet të dëgjojmë vetëm shkencën. Dhe shkenca na kërkon që të ngrihemi në lartësinë e misionit që na imponon kjo kohë, dhe të luftojmë pandeminë me një armë efikase, si vaksina.

Në Shqipëri, 47 % është mbulesa vaksinale me të paktën një dozë. 42% e popullatës target mbi 16 vjeç. I referohem ketu shifrave për grupin që kemi synim të vaksinojmësepse do të doja këtu të jepja dhe një informacion tjetër që është po kaq i rëndësishëm. Nga sot çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë të vaksinës nëse ka kaluar 6 muaj nga aplikimi i dozës së dytë.

25 bashki e kanë mbulesën vaksinale mbi 50%, siç është Tirana e cila po tregon një ritëm të mirë vaksinimi gjatë kohëve të fundit, po ashtu edhe Fieri, Lushnja, Gjirokastra, Puka, Tropoja, Mirdita.

Por mbetet ende shumë për të bërë, ndaj ne po vijojmë me vaksinimin derë më derë për të gjithë ata qytetarë të cilat janë në zonat e thella të vendit dhe ende nuk janë vaksinuar.

Eksperienca e shteteve evropiane, ku po flitet gjithnjë e më shumë për masa ekstreme, tregon se nevojitet që një shumicë dërrmuese e qytetarëve të vaksinohen, për të luftuar pandeminë dhe rikthyer normalitetit.

Sepse sipas ekspertëve, nëse një pjesë domethënëse e qytetarëve zgjedhin të mos vaksinohen, nën pretendimin e respektimit të lirive personale, ata nuk janë duke vënë në rrezik vetëm veten e tyre.

E para, po dëmtojnë qytetarët e tjerë, duke u vënë atyre në rrezik shëndetin dhe vetë jetën.

E dyta, ekspertët thonë se, sa më gjatë që qytetarët do të zgjedhin të refuzojnë vaksinimin, aq më shumë kohë dhe shanse i jepen virusit të qarkullojë dhe të pësojë mutacione, duke e shtuar kështu rrezikshmërinë e tij.

Kur po bëhen gati dy vite nga fillimi i kësaj pandemie, është më se e qartë se argumenti “vaksinimi është puna ime”, nuk vlen. Vaksinimi nuk është puna ime, vaksinimi është edhe puna e prindit në shtëpi, edhe puna e fqinjit ne lagje, edhe puna e shokut, edhe puna e kolegut në zyrë.

Ne jemi të vetëdijshëm se kemi shumë më tepër për të bërë, përballë skepticizmit dhe infodemisë, dy faktorë që po minojnë përpjekjet e mëdha të sistemit shëndetësor.

Qeveria shqiptare ka garantuar vaksinat, dhe ato janë të disponueshme për të gjithë popullatën e targetuar. Kanë mbërritur mbi 2 million e 660 mijë vaksina, ndërsa kemi siguruar kontratat e reja me Pfizer për vitin 2022. Po kështu, nëpërmjet instrumentit Covax kemi siguruar sasi për popullatën target, duke parashikuar dhe skenarët e ndryshëm potencialë në javët dhe muajt që do të vijnë, duke u bazuar gjithmonë tek rekomandimetit e Komitetit të ekspertëve të vaksinimit, për dozën “booster”, zbritjen e grupmoshave etj.
Deri më sot, qeveria shqiptare ka financuar për blerjen e vaksinave anti Covid 36 milion USD. Kemi parashikuar edhe 27 milion dollarë për vitin e ardhshëm, me qëllim përfundimin e programit kombëtar të vaksinimit anticovid.

Kjo marrëveshje që sjellim sot për miratim lehtëson procedurat për vaksinat Pfizer që dhurohen nga shtetet e tjera, gjë që na ndihmon në rritjen e disponibilitetit të vaksinave në një kohë shumë të shpejtë.

Por kemi nevojë për mbështetjen e qytetarëve, kemi nevojë që zinxhiri ynë i solidaritetit të jetë më i fortë, për të përballuar kohën e vështirë që na pret. Kjo luftë fitohet vetëm nëse qytetarët dhe autoritetet janë së bashku në zbatimin e masave të thjeshta.

Ndaj dua ta shfrytëzoj sërish sot këtë moment për t’iu drejtuar qytetarëve: Nuk ka kohë për të humbur në këtë betejë për jetën.

Është e kuptueshme që të gjithë duan të festojnë, të gjithë duan t’i gëzohen festave, por për ta bërë këtë më të qetë e më të mbrojtur, arma është VAKSINA dhe respektimi i masave të shëndetit publik.

VAKSINIMI është zgjidhja për të afruar sa më parë fundin e kësaj pandemie dhe për këtë jemi të vendosur të bëjmë gjithcka kemi në dorë për të përmbushur planin kombëtar të vaksinimit masiv ne kete faze te re te tij.

Sigurisht koha dhe situata epidemiologjike do të diktojnë edhe masat në vijim, që padyshim do të rivlerësohen, do të rishikohen, duke u udhëhequr – ashtu siç kemi bërë që prej fillimit të kësaj pandemia- nga 1 dhe vetëm 1 interes: SHËNDETIT DHE JETA e qytetarëve tanë.

Sikundër edhe OBSH e ka rekomanduar: Nuk janë zgjidhje vendimet ekstreme.Dhe ne në këtë qasje do të jemi të kujdesshëm me veprimet që do të ndërmarrim.

Siç ka ndodhur deri më sot, do të jenë ekspertët ata që do të kolaudojne dhe rivlerësojnë masat në këtë periudhë të vitit, por ajo që dua të theksoj në mbyllje të fjalës time është se:

VAKSINIMI, i kombinuar me masat e thjeshta të shëndetit publik, sic është distanca, higjiena dhe padyshim maska në ambientet e mbyllura si dhe në ambientet e jashtme kudo ku nuk ruhet dot distanca, janë armët që kemi në dorë dhe duhet ti përdorim të gjithë, për të frenuar përhapjen e pandemisë, për të dalë me sa më pak humbje nga kjo situatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA