Me 100 vjet burgim në total, janë dënuar ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija.
Trupi gjykues i Gjykatës Speciale të Serbisë, më 2 dhjetor, në procesin e përsëritur shpalli dënime për katër ish-pjesëtarët e këtij shërbimi. Më nga 30 vjet burgim janë dënuar, Radomir Markoviq dhe Millan Radonjiq. Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak u dënuan më nga 20 vjet burgim.
Pas shpalljes së vendimit, palët mund të ankohen, por Gjykata e Apelit këtë vendim mundet vetëm ta konfirmojë ose anulojë. Rigjykimi në këtë rast nuk është më i mundur.
Shpallja e vendimit në rastin e vrasjes së gazetarit të shquar serb, ndodhi plot 22 vjet pas vrasjes së tij. Hetimet rreth vrasjes së gazetarit dhe publicistit, Quruvija filluan në vitin 2001, në kohën kur kryeministër i Serbisë ishte, Zoran Gjingjiq.
Gjykimi i parë në këtë rast kishte filluar në qershor të 2015-s.
Vendimin paraprak në rastin e vrasjes së gazetarit, Sllavko Quruvija, Gjykata e Apelit e kishte ndërprerë më 7 shtator 2020. Bazuar në atë vendim, ish-shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror (SDB), Radomir Markoviq u dënua më 30 vjet burgim, si dhe shefi i dikurshëm i qendrës së Beogradit të Sigurimit Shtetwror, Millan Radonjiq. Më nga 20 vjet burgim ishin dënuar Romiq dhe Kurak.
Mirosllav Kurak madje ndodhët në arrati dhe nuk është i qasshëm për organet e rendit.
Megjithatë nga Gjykata e Apelit njoftuan se vendimi i shkallës së parë për vrasjen e Quruvijas do të kthehet në rigjykim krahas sqarimit se me futjen e personit ‘NN’ në aktakuzë, si kryes i vrasjes, është ndryshuar gjendja faktike që qëndronte në aktakuzë.
Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte. Pasi që u largua nga pozita e kryeredaktorit të gazetës shtetërore “Borba” (Beteja) themeloi “Nedeljni Telegraf” (Telegrafin Javor) në fillim të vitit 1996 dhe gazetën e parë të pavarur në Serbi, “Dnevni telegraf” (Telegrafin Ditor) e më pas edhe gazetën javore, “Evropljanin”, (Evropiani).
Ai ishte kritik i madh i presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Sipas ligjit të posaçëm për media, gazeta e tij “Dnevni Telegraf” (Telegrafi Ditor) krahas edhe disa mediave të tjera u ndalua së publikuari më 14 tetor 1998 por më pas filloi të shtypet në Mal të Zi dhe distribuohej në Serbi nëpërmes një rrjeti të botuesve.
Bazuar në aktakuzën, dy burra të maskuar e kanë vrarë atë në qendër të Beogradit, para banesës në të cilën banonte derisa ishte bashkë me partneren e tij, Branka Prpa. Në aktakuzë thuhet se njëri prej të akuzuarve, Mirosllav Kurak i cili ndodhët në arrati gjuajti me breshëri plumbash drejt tij nga distanca prej një metri e gjysmë, e më pas Quruvija u rrëzua. Sulmuesi i ishte afruar sërish duke gjuajtur pastaj me armë nga afërsia.
Gjatë sulmit ndaj gazetarit u plagos edhe Branka Prpa të cilën sipas aktakuzës , Ratko Romiq e goditi me revole në kokë që të mos i shihte vrasësit e Quruvijas.
Në tetor të 2020-s, Universiteti i Kolumbisë kishte publikuar një analizë të rastit të vrasjes së Quruvijas në të cilën qëndron se vendimi i Gjykatës së shkallës së parë ishte historik ngase ishte hera e parë që dikush mbahej përgjegjës për vrasjen e gazetarit.
Megjithatë në Serbi në 25 vjetët e fundit janë vrarë tre gazetarë përfshirë Quruvijan. Asnjë rast nuk është zgjidhur, shkruan në studim. Krahas Quruvijas, ishin vrarë edhe Dade Vujasinoviq e cila u gjet e vdekur më 8 prill 1994 në banesën e saj në Beograd dhe Millan Pantiq i vrarë më 11 qershor 2001 në qytetin e Jagodinës./ REL
Top Channel