KE “shuplakë” Kinës për Ballkanin, jep 300 miliardë euro për rajonin!

02/12/2021 17:24

Bashkimi Evropian do të investojë gati 300 miliardë euro në infrastrukturë dhe projekte të tjera, në kuadër të nismës së pagëzuar me emrin  “Porta Globale”.

Kjo lëvizje e bllokut 27 anëtarësh shihet si shenjë e qartë sfide që i bën Brukseli nismës së ngjashme të Kinës, “Një brez, një rrugë”.

Dokumenti i Komisionit Europian, detajon planet “për të forcuar rrjetet dixhitale, të transportit dhe energjisë” në botë, si dhe për të investuar në “projekte që mund të realizohen me standarde të larta, qeverisje të mirë dhe transparencë”.

Iniciativa synon të mobilizojë një shumë prej 300 miliardë eurosh, që do të investohen deri në vitin 2027.

Ajo do të fokusohet në ndërtimin e projekteve të tilla si kabllot me fibra optike, korridoret e transportit dhe “linjat e pastra të transmetimit të energjisë”, që, siç thuhet, do të ofrojnë “investime tërheqëse dhe kushte të volitshme për biznesin, konvergjencë rregullatore [standardizim], integrim të zinxhirit të furnizimeve dhe shërbime financiare”.

Planet e BE-së vijnë në kohën kur shumë shtete perëndimore janë duke bërë përpjekje që të luajnë rol më të madh në financimin e infrastrukturës në botën në zhvillim dhe, në këtë mënyrë, të zmbrapsin ndërhyrjet kineze.

Që prej lançimit në 2013-ën, “Një brez, një rrugë” është kthyer në një mjet të rëndësishëm të Pekinit për të shtrirë influencën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA