Rruga nuk do të udhëheqë politikën, deklaroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç teksa komentoi protestat që kanë shpërthyer ditët e fundit në Serbi.

Që nga 27 nëntori, në disa qytete serbe, njerëzit kanë dalë nëpër rrugë duke kundërshtuar ndërtimin e minierës së litiumit në perëndim të vendit në qytetin e Lloznicës nga kompania, Rio Tinto.

Rio Tinto renditet si kompania e gjashtë në botë për metale e miniera. Shumëkombëshja britaniko-australiane, me seli në Londër, e cila operon në 35 shtete të botës. Vuçiç tha se bllokada e rrugëve nuk është protestë, por shkelje e ligjve të Serbisë.

Por sërish, ai shtoi se për protestat e paralajmëruara në fundjavë lidhur me minierën, shteti nuk do të reagojë.

Protestuesit janë duke kërkuar nga autoritetet që të ndalojë projektet të cilat i konsideron të dëmshme për mjedisin. Protestat e grupeve të aktivistëve të mjedisit kundër kompanisë Rio Tinto në Lloznicë, më 27 nëntor, 2021. Disa protestues mbajnë në duar pankarta ku shkruhej “hajdutë”dhe “tradheti”.

Presidenti serb paralajmëroi se brenda disa ditësh do të vizitojë zonën e Lloznicës dhe do të takohet me qytetarët sepse dëshiron të dëgjojë nga ata se çfarë mendimi kanë rreth minierës. Shteti nuk do të bëjë asgjë ‘pa u konsultuar me popullin’, deklaroi Vuçiç që theksoi Serbia duhet të presë më shumë se një vit të përfundojë studimi rreth ndikimit që mund të ketë në mjedis miniera e litiumit.

Vetëm pas këtij studimi, sipas tij, do të mund të vazhdohen punimet rreth minierës së kompanisë Rio Tinto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA