Dy persona janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shkodrës, pasi dyshohet se kanë dijeni në lidhje me atentatin që i mori jetën ish-deputetit Pashk Ujka.
Top Channel ka mësuar se njëri prej tyre dyshohet se ka shenja baruti në duar dhe po analizohen të dhënat e gjetura për të kuptuar nëse bëhet fjalë për autorin e kësaj ngjarje.
Ndërkohë Policia e Shkodrës nuk ka dhënë informacione të tjera mbi shoqërimet dhe as identitetin e tyre.
Ish-deputeti dhe ish-kreu i Komunës së Velipojës, Pashk Ujka u ekzekutua me armë zjarri me silenciator në lagjen “Vasil Shanto”, në vendin e quajtur lulishtja e Universitetit në Shkodër, në datën 29 nëntor 2021, rreth orës 19:00.
Ai ishte duke bërë ecje me bashkëshorten e tij, e fundit kjo që nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë. Ajo ka kuptuar se çfarë ka ndodhur vetëm në momentin që ka parë të shtrirë dhe të mbuluar në gjak bashkëshortin e saj.
Kujtojmë se Ujka së fundmi ishte duke vuajtur nga një sëmundje e rëndë dhe e kishte bërë rutinë ecjen në lulishte në orarin kur edhe autori kishte vendosur ta ekzekutonte.
Top Channel