Nisma 1 euro kishte në fokus përmirësimin e klimës së biznesit dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend atraktiv për investitorët e huaj. Asetet të cilat kanë qenë të papërdorura dhe që mund të ofrohen përsëri si toka, terrene, ndërtesa, magazina shtetërore do të futeshin në qarkullimin ekonomik kundrejt një qeraje simbolike.

Kjo do të ndihmonte shumë në thithjen e investimeve të huja, në rritjen e aktivitetit prodhues, në zgjerimin e vendeve të punës dhe në veçanti në rritjen e eksporteve. Sipas inventareve që disponoheshin në atë kohë, në Shqipëri ishin më shumë se 125 mijë hektarë tokë e vënë në dispozicion për proçesin e shpërndarjes tek fermerët, por që nuk ishin përdorur. Shqipëria edhe pse një vend i varfër, përsëri sipërfaqe të tëra toke kanë mbetur të papërdorura.

Reagimi i parë për këtë nisëm erdhi krejt natyrshëm nga politika. Kryetari i opozitës Edi Rama në atë kohë e kundërshtoi.
“Kryesorja dhe ajo që i mban larg jo investitorët e huaj, por që po alienon dhe sipërmarrjen vendase është klima. Ka një klimë antisipërmarrje e cila nuk shprehet thjesht në fjalimet kryeministrore apo në veprimet e qeverisë, por shprehet në mungesën e një sistemi garancish qe fillojnë që nga mungesa e garancive të sipërmarrësit në nivelin e mbrojtjes nga ligji, deri tek mungesa e garancive në nivelin e energjisë apo të ujit.”
Nisma një euro ishte një nisëm me synimin per të tërhequr investitorët për të drejtuar kapitalet e tyre në Shqipëri. Por si shumë nisma të tjera edhe kjo nuk është se dha rezultatet e pritura. Pas 6 vitesh të lançimit të nismës 1 euro në vitin 2012, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë një tryeze për çështjet ekonomike, tha se nisma “Shqipëria 1 euro” nuk solli asnjë rezultat.

“Shtatë vjet qeverisje nuk kanë arritur të ndryshojnë asgjë në drejtim të punësimit. Asnjë reformë nuk ka sjellë punësim: as Shqipëria 1 euro, as Shqipëria superfuqi energjetike.”

Në atë kohë edhe Erjon Braçe ishte mjaft i ashpër me nismën e ndërmarrë nga kundërshtarët politik, ai e cilësoi nismën shitje të vendit.
“Ju shpallët nismën ‘Shqipëria 1 euro’ si iniciativën tuaj personale për të tërhequr investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri. Tani duket sikur vendi është në shitje, ndërsa ju ngjani gjithnjë e më tepër me atë tregtarin e zotë rom që një herë në muaj thërret mes pazarit më të lirë: U hap thesi!”

Nisma Shqipëria një euro u shoqërua në kohën e qeverisjes së demokratëve me akuza të forta se prej saj kishin përfituar klientë të qeverisë. Sipas akuzave mjaft prona me 1 euro u ishin dhënë bizneseve pranë qeverisë.

Por nisma e famshme dhe shumë e debatuar 1 euro nuk u shua. Riaktivizimi i saj u bë nga kritiku i saj më i forte, nga kryeminsitri Edi Rama. Gjatë një takimi me investitorë italianë në tetor të vitit 2014, Rama konfirmoi se kjo nisëm do të funksiononte edhe gjatë qeverisjes së tij.
“Duhet të kujtojmë se zoti Rama dhe partia Socialiste kur ishin në opozitë e kanë kundërshtuar këtë nisëm por ishin po ata vetë që e përfshinë në programin e tyre qeverisës 2013-2017” u shpreh politologu, Ilir Kalemaj.

“Partitë e përkrahin ose e shajnë nismën nga pozicioni që ata kanë në pushtet” u shpreh Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA