Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre persona, si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi akuzohen se kanë dhunuar bashkëshortet e tyre respektive.
Mes të arrestuarve është një 46-vjeçar, i cili ka dhunuar bashkëshorten dhe për pasojë kjo e fundit ka tentuar të vetëvritet, duke konsumuar medikamente, dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, është larguar në banesë.
“Specialisët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. Xh., 57 vjeç pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe G. L., 46 vjeç pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes. Si pasojë e dhunës së ushtruar, bashkëshortja e shtetasit G. L., ka tentuar të vetëvritet, duke konsumuar medikamente, dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, është larguar në banesë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit C. S., 58 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij”, njofton policia.
Po ashtu është shpallur në kërkim për të njëjtën vepër penale edhe një 39-vjeçar. Ai ka dhunuar ish-bashkëshorten dhe dy vajzat e mitura.
“Gjithashtu, nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, po punohet për kapjen e shtetasit R. D., 39 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish bashkëshortes dhe dy vajzave të mitura”, bën me dije policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel