Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka rikthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për Bashkëqeverisjen”.
Institucioni i Presidentit arsyeton se ky ligj shkel Kushtetutën dhe autonominë e pushtetit vendor, duke krijuar institucione paralele dhe mbivendosje kompetencash ndërmjet tyre, duke shkelur sigurinë juridike.
Presidenca argumenton gjithashtu se centralizon më shumë pushtet tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri dhe bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, arsyeton Presidenca, se ligji bie ndesh me parimet e funksionimit të administratës shtetërore të saksionuara në Kode dhe Ligje të tjera.
Sipas qeverisë shqiptare ky ligj përcakton rregullat për bashkëqeverisjen me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore.
Projektligji synon përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, si dhe ndëshkimin e atyre që shkelin detyrën dhe nuk japin shërbimin e duhur.
Gjithashtu, projektligji përcakton mekanizma detyrues për shërbimet publike ndaj qytetarëve e sipërmarrjeve, si edhe sanksione financiare e administrative për zyrtarët që rezultojnë pengues të zgjidhjeve për qytetarët.
Top Channel