Ish-lideri i Gjeorgjisë Sakashvili, thotë në gjyq se është torturuar në burg

30/11/2021 00:59

Lideri i burgosur i opozitës së Gjeorgjisë dhe ish-presidenti Mikail Sakashvili, denoncoi sot atë që quante “persekutim politik” në gjyqin për abuzim me detyrën.

Sot ishte paraqitja e tij e parë publike në seancë, që prej arrestimit më 1 tetor, pas kthimit nga ekzili. Ish-presidenti i Gjeorgjisë nga viti 2004 deri në 2013, kishte refuzuar ushqimin për 50 ditë për të protestuar kundër persekutimit.

“Të gjithë e dinë se unë nuk duhet të jem në burg pasi akuzat kundër meje janë të sajuara dhe të motivuara politikisht”, tha Sakashvili nga kutia e xhamtë e gjyqit në Tbilisi. Gjatë fjalimit emocional, ai nisi të flasë në gjuhën angleze, sipas tij “për partnerët ndërkombëtarë”.

“Jam torturuar dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore, jam rrahur e jam turpëruar gjatë qëndrimit në burg” tha Sakashvili. Ai shtoi se ka humbur 20 kilogramë gjatë grevës së urisë teksa sot në seancë 53 vjeçari dukej i zbehtë. Ai shtoi se pranonte gabimet që kishte bërë gjatë kohës në pushtet.

“Kam bërë shumë gabime dhe pendohem më shumë që nuk ngritëm një gjyqësor të pavarur. “Kërkoj ndjesë për të gjithë ata që kanë vuajtur si pasojë e kësaj”. Ndërkohë më shumë se 1,000 mbështetës të Saakashvili ishin mbledhur jashtë gjykatës, duke valëvitur flamurë gjeorgjianë e të BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA