Konfliktet që janë krijuar për shkak të ushtrimit të detyrës së kryetarit të komunës së Velipojës, janë pista kryesore ku policia dhe prokuroria e Shkodrës, po hetojnë për zbardhjen e vrasjes së ish-deputetit dhe ish kryetarit të komunës së Velipojës, Pashko Ujka.
Ai u vra mbrëmjen e së hënës, fare pranë shtëpisë së tij, nga një person i vetëm i cili e qëlloi me një armë zjarri të dyshuar si pistoletë me silenciator.
Ekspertët e policisë kanë sekuestruar kamerat e bizneseve të zonës nga ku dallohet autori por po punon për identifikimin e tij të plotë. Burime pranë prokurorisë në Shkodër thonë se pista kryesore e hetimeve është ajo e konflikteve të pronësisë.
Konflikte, këto të mbartura nga koha kur Ujka ushtronte detyrën e kryetarit të komunës së Velipojës. Grupi i hetimit beson se Ujka është ekzekutuar për shkak të detyrës që ka mbajtur si kryetar i Komunës së Velipojës në vitet 2011-2015.
Gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i komunës Velipojë, Ujka dhe vartësit e tij kanë qenë në hetim nga prokuroria e Shkodrës, për akuzën e
“Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Asokohe janë ndarë dhjetëra hektarë me Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi dokumente këto të falsifikuara por që shërbenin për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Velipojës.
Por akuzat e ngritur ndaj tij nuk u provuan, kësisoj dosja u mbyll.Pas mbylljes së karrierës politike, Pashko Ujka iu përkushtua biznesit ku kishte ndërtuar disa pallate në Shkodër dhe Velipojë. Një tjetër pistë ku po heton prokuroria janë edhe borxhet në biznes ku mund të kenë prodhuar konflikte të mundshme familjare.
Top Channel