Personat mbi 60 vjeç do të gjobiten në Greqi çdo muaj nëse nuk vaksinohen deri më 16 janar.
Kjo masë është paralajmëruar nga kryeministri grek gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar.
Në mbledhje, Kyriakos Mitsotakis njoftoi një sërë masash që duhet të merren për të vendosur nën kontroll pandeminë, veçanërisht pas shfaqjes së mutacionit Omicron, por edhe për shkak të festave të fundvitit.
Qeveria greke e ka bërë të detyrueshme vaksinimin për personat mbi 60 vjeç, ndërsa sqaron se nëse ata nuk vaksinohen deri më datë 16 janar, do të gjobiten me një shumë prej 100 euro çdo muaj.
Kryeministri grek tha se në të njëjtën kohë, në kuadër të festave të fundvitit, shteti po merr një tjetër masë.
Duke filluar nga data 6 deri në 12 dhjetor dhe nga data 3 deri në 7 janar do të ofrohen teste falas për çdo person të rritur, të vaksinuar ose jo, me qëllim identifikimin e bartësve asimptomatik të virusit para Krishtlindjeve, si dhe për të monitoruar përhapjen e pandemisë gjatë festave.
Ai tha se përmes Mbrojtjes Civile janë siguruar 20 milionë teste për shkollat.
“Nga 580 mijë persona të pavaksinuar mbi 60 vjeç, fatkeqësisht vetëm 60 mijë u vaksinuan në muajin nëntor. Shumica e pacientëve që po trajtohen janë kryesisht ata mbi moshën 60-vjeçare dhe fatkeqësisht shumë prej tyre po ndërrojnë jetë”, tha kryeministri grek.
Tashmë, të gjithë personat mbi 60 vjeç në Greqi, e kanë të detyrueshme të vaksinohen deri me 16 janar, përndryshe ata do të gjobiten me një shumë prej 100 euro, çdo muaj.
Me ligj, parat që do mblidhen nga vendosja e kësaj gjobe, do të shkojnë për të financuar spitalet greke.
Top Channel