Greqia regjistron për të katërtën herë brenda këtij viti më shumë se 100 të vdekur nga koronavirusi brenda 24 orëve. Sipas autoriteteve greke me 104 viktimat e ditës së hënë numri i personave që kanë humbur jetën prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 18067.
Të pyetur se përse ka një numër kaq të madh vdekjesh në vend specialistët grekë pohojnë se Greqia është prej vendeve të para në BE me grupmoshën më të madhe të personave mbi 60 vjeç, ka në përqindje të lartë të tyre të pavaksinuar që në qytetet e veriut shkon në gati 41%, ndërsa gjithashtu shumë prej pacientëve kërkojnë me vonesë ndihmë mjekësore në një moment kur sistemi spitalor po gjunjëzohet.
Gjithashtu gjatë ditës së sotme është rritur përsëri numri i të intubuarve , duke shkuar në 657 pacientë , prej të cilëve 526 ose 80% e tyre janë të pavaksinuar, ndërsa të tjerët janë të vaksinuar plotësisht ose me një doze. Sa ju përket infektimeve janë regjistruar 6677 raste në 24 orët e fundit dhe shtrimet mesatare në spitalet e vendit në javën e fundit ishin mbi 465 persona në ditë.
Komisioni i pandemisë ka deklaruar sot se në fund të dhjetorit do të japë pëlqimin për vaksinimin e fëmijëve të moshës nga 5 -11 vjeç.
Vdekjet e shumta në vend ,por edhe frika nga variant i ri “Omicron” i koronavirusit që ka shkaktuar shqetësim në mbarë planetin, kanë sjellë një rritje të admirueshme të vaksinimeve si me dozën e parë ashtu edhe me dozën e tretë në të gjithë Greqinë.
Top Channel