Veriu dhe juglindja e vendit janë përfshirë nga reshje të dëborës ditët e fundit çka ka sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Por,a ka ndërmarrë Autoriteti Rrugor Shqiptar një plan masash për mirëmbajtjen dimërore të akseve rrugore nga kompanitë e mirëmbajtjes për të shmangur bllokimin e lëvizjes së mjeteve?
“Duke parë parashikimet që do jetë një dimër i ftohtë dhe me dëborë morëm masat që me 15 tetor duke bërë depozitimin e kripës në vende të caktuara, nënshkrimin e kontratave me të gjithë mirëmbajtësit, testet me kompanitë që do të mirëmbajnë rrugën dhe janë kontrolluar të gjitha borëpastrueset që kanë kompanitë në dispozicion për të kryer mirëmbajtjen dimërore dhe kriposjen e rrugëve të akseve nacionale.” Evis Berberi, drejtor i ARRSH
Veç reshjeve të shiut e dëborës, prania e ngricave bën që në disa akse nacionale qarkullimi të kryhet më vështirësi përgjatë dimrit. Drejtuesi i ARRSH-së Evis Berberi tregon rrugët më problematike.
“Problematike gjatë këtyre ditëve me reshjeve të dendura shiu kanë qenë zona e Kukësit, zona e Murrashit në Elbasan, zonat jugore kryesisht për shkak të rënies së gurëve, inerteve. Problematike janë në dimër aksi Korçë-Ersekë, aksin Boboshticë-Dardhë-Voskopojë, pjesa e Dibrës, Aksi Kukës, zona Tamarë-Vermosh –Malësia e Shkodrës.” Evis Berberi, drejtor ARRSH
Pas situatës problematike të motit që ka sjellë në disa zona edhe ndërprerje të energjisë elektrike, ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve për kujdes veçanërisht në rajonet turistike të vendit që ka edhe një fluks të shtuar lëvizjesh si në Korçë, Pogradec apo në zonat veriore.
Top Channel