Talibanët kërkojnë ndihmën e BE-së për aeroportet afgane

29/11/2021 15:13

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se në takimet që kanë zhvilluar gjatë fundjavës me zyrtarë talibanë në Katar, këta të fundit kanë kërkuar ndihmë për të mbajtur funksionalë aeroportet afgane.

Blloku evropian ka thënë se mund të ofrojë ndihmë për Afganistanin, nëse talibanët sillen sipas kushteve.

Bisedimet dyditore kanë ndodhur pak para bisedimeve që pritet të zhvillohen më 29 nëntor në mes të zyrtarëve amerikanë dhe talibanëve, po ashtu në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar të njohë udhëheqësit e rinj të Afganistanit, pasi talibanët kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi më 15 gusht në Kabul.

Tërheqja e trupave ndërkombëtare pas marrjes së pushtetit nga talibanët, ka ndikuar që ekonomia afgane të përballet me rënie të lirë.

Përveç kësaj, edhe rezervat e Bankës Qendrore të Afganistanit, që gjenden jashtë shtetit, tashmë janë ngrirë.

Si rezultat, Kombet e Bashkuara kanë thënë se Afganistani është në prag të katastrofës humanitare, pasi më shumë se gjysma e popullsisë rrezikon të mos ketë mjaftueshëm ushqim gjatë dimrit./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA