Zv.kryeministri Arben Ahmetaj përmes një shënimi në facebook i ka kërkuar të gjithë qytetarëve në të gjithë vendin që të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme.
Ahmetaj njofton se institucionet qendrore dhe ato lokale janë alertuar dhe mbeten të angazhuara për marrjen e masave për menaxhimin e situatës.
“Nisur nga situata e rënduar e reshjeve në Vlorë dhe gjithë vendin, një lutje për qytetarët që të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme, ndërkohë që institucionet qendrore dhe ato lokale janë alertuar dhe mbeten të angazhuara për marrjen e masave për menaxhimin e situatës”, njofton Ahmetaj.
Sipas të dhënave të raportuara nga emergjencat civile, reshjet e shumta kanë sjellë disa problematika në zona të caktuara të vendit. Situata konkretisht paraqitet si më poshtë:
Qarku Tiranë. Si rezultat i reshjeve të shiut ka pasur prezencë uji në rrugën “5 Maji”, ku janë rrezikuar disa banesa. Ekipet e punës së bashkisë Tiranë kanë punuar për normalizimin e situatës.
Në vendin e quajtur Ura e Maqedonasit, bashkia Rrogozhinë, Lumi Shkumbin ka rritje të prurjeve dhe lumi ka filluar të dalë nga shtrati. Në vendngjarje kanë shkuar përfaqësues të bashkisë Rrogozhinë si dhe Prefekti i qarkut Tiranë Z. Afrim Qëndro. Situata po mbahet në monitorim.
Qarku Shkodër. Ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë- Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte. Firma kontraktore ka punuar për pastrimin e saj.
Qarku Durrës. Si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë ka një fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit. Situata po monitorohet nga Prefekti i qarkut Durrës.
Qarku Dibër. Në fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.
Qarku Elbasan. Si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, bashkia Elbasan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.
Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës.
Top Channel