Versioni i ri i koronavirusit i Afrikës së Jugut po depërton gjithnjë e në më shumë vende.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se Omicron është një rrezik infektimi edhe për ata persona që kanë vuajtur më parë nga Covid-19.
OBSH rekomandoi që vendet të mos nxitohen duke bllokuar udhëtimet, por të bazohen në të dhënat shkencore.
Megjithatë, një numër i caktuar shtetesh kanë ndaluar udhëtimet nga Afrika e Jugut dhe fqinjët e saj nga frika e versionit të ri të koronavirusit.
Trembëdhjetë pasagjerë që mbërritën në Amsterdam nga Afrika e Jugut rezultuan pozitivë me Omicron.
Po ashtu, në aeroport policia ndaloi një çift që u arratis nga karantina që ishte vendosur në një hotel. Ata u kapën në një avion pak para se të niseshin për në Spanjë.
Holanda shtrëngoi të premten masat në lidhje me versionin e ri të koronavirusit, madje edhe Japonia ka mbyllur kufijtë e saj për shtetasit e huaj. Kjo masë pritet të zgjasë deri në tre javë.
Presidenti i Afrikës së Jugut ka kritikuar bllokimet e vendeve të tjera, duke u bërë thirrje këtyre shteteve që t’i heqin ato menjëherë.
Top Channel