Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Polonia po synojnë të shkatërrojnë Bashkimin Evropian.
“Situata në kufirin perëndimor nuk është e lehtë. Kushtojini vëmendje vizitës së kryeministrit polak Mateusz Morawiecki në Britani”, tha Lukashenko, raporton BelTa.
Ai është i sigurt se për dy vite polakët dhe britanikët duan të shkatërrojnë Bashkimin Evropian me sugjerimin e Uashingtonit.
Lukashenko tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për partnerë që mund të jenë të barabartë me ta. Ai deklaroi se sapo BE prezantoi monedhën e saj, “kjo gjë përbënte një kërcënim për dollarin dhe filluan problemet në bllokun euroatlantik”.
“Ne e kuptojmë. Për momentin do të kemi një përfundim- euro apo dollarë”, tha Presidenti Lukashenko.
Sipas tij, nuk është rastësi që Britania u largua nga Bashkimi Evropian, pasi nuk gjeti asgjë në të, ndërsa theksoi se tashmë aksionet po vazhdojnë në Poloni.
“Shumë kanë filluar të deklarojnë hapur: nëse mbarojnë ndihmat nga Bashkimi Evropian (miliarda dollarë dhe euro) ne nuk kemi nevojë për BE-në. Prandaj po bëhet gjithçka për ta shkatërruar Bashkimin Evropian”, tha Lukashenko.
Top Channel