“Njerëzit kanë krijuar ndotjen në Shqipëri”/ Rama: Te Pylli i Sodës s’mbarojnë plehrat, në 30 vjet s’ka shkuar këmbë njeriu të pastrojë!

20/11/2021 13:25

“Pastërtia është një nga elementët thelbësor të rritjes së turizmit dhe ekonomisë”. Kështu është shprehur Kryeministri gjatë takimit të zhvilluar me kryebashkiakët e qyteteve bregdetare, me në fokus pastrimin e territorit.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria fatmirësisht nuk është një vend i ndotur nga industritë apo nga zhvillime që prodhojnë helme dhe sjellin pasoja në prodhimin dhe përpunimin e kimikateve, por e ka problemin e ndotjes së krijuar nga njerëzit.

“Ne duam që ta fitojmë këtë sfidë që s’ka lidhje me politikën dhe partitë por asgjë tjetër se të qenit qytetarë të denjë në raport me pastërtinë. Është e paimagjinueshme që Shqipëria të njolloset nga pisllëku në sytë e turistëve, dhe të jetë i legalizuar në sytë e fëmijëve. Të mos vër në dispozicion të ekonomisë gjithë këto bukuri natyrore për shkak të pastërtisë.

Pastërtia është një nga elementët thelbësor të rritjes së turizmit dhe ekonomisë. I njëjti vend i bekuar nga zoti mund të ketë dy ekonomi të ndryshme nga fakti nëse është i pistë apo i varfër. Fatmirësisht Shqipëria nuk është një vend i ndotur nga industritë, nga zhvillimi që prodhon helme dhe sjell pasoja të prodhimit dhe përpunimit të kimikateve, është një fat i madh. Shqipëria ka problemin e ndotjes së krijuar nga njerëzit, ky është një turp i madh. Nuk mund të kënaqemi me një progres relativ, sigurisht që është më e pastër se dje, por është turp për ne të gjithë me pirgjet e plehrave që shohim çdo ditë”, u shpreh Kryeministri.

Duke risjellë në vëmendje planin e pastrimit në pyllin e Sodës që ka filluar prej një muaji tashmë, Kryeministri Rama shprehet se ende vazhdon pastrimi ndërsa nuk kanë të mbaruar plehrat që kanë qenë aty për 30 vjet!

“E filluam këtë plan te Pylli i Sodës, ka afro një muaj, te pylli i Sodës vazhdon akoma pastrimi, nuk kanë mbaruar plehrat. Plehrat atje kanë 30 vjet, jemi duke e pastruar një territor ku hedhja e plehrave është kthyer në një fenomen arkeologjik. 30 vjet nuk ka shkuar këmbë njeriu nga bashkia e Vlorës të pastrojë pyllin e Sodës. Aq më thellë futesh në atë pyll aq më shumë plehra gjen, që do të thotë edhe kur kanë bërë sikur kanë shkuar i kanë shtyrë plehrat më thellë. Nuk mban më kjo punë, duhet të bashkojmë forcat. Bashkitë kanë kusuret e tyre. Policia e Shtetit ka kusuret e veta, duhet të bëjmë çmos që secili të bëjë vetën, sepse kusurin më të madh e kanë individët”, tha Kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA