Emetimi i pestë e çon stokun e borxhit në 1.8 miliardë euro, 50% e borxhit publik në valutë, rreziku nga interesat në rritje.
Shqipëria mbylli të enjten e shkuar daljen e saj të pestë në tregjet e kapitalit për një emetuar një Eurobond. Edhe pse synimi ishte që të sigurohej një borxh në vlerën 700 milionë euro, sikurse ishte deklaruar nga qeveria dhe siç e parashikonte ligji i veçantë, nga tregu u morën 650 milionë euro.
Maturimi është më afatgjati me të cilin qeveria ka siguruar ndonjëherë një hua nga emetimet e vazhdueshme në instrumentin Eurobond me 10 vjet. Kuponi me të cilin u emetua ky borxh ishte 3.5% dhe interesi 3.75%. Nga ekspertët e tregut ata u vlerësuan tregues pozitivë për kushtet aktuale, por sigurisht jo një sukses i jashtëzakonshëm sikurse u lakua nga qeveria. Por cilat janë të dhënat që shihen si sukses i Shqipërisë në këtë treg dhe aspektet me rezerva?
Afati i maturimit dhe interesi cilësohen si tregues të mirë në këtë transaksion të fundit, gjë që ka ardhur si rezultat i kushteve ende të mira në tregje. Thuajse në të gjithë rastet në ecurinë dhe interesat me të cilat Shqipëria ka siguruar borxhin në tregjet e kapitalit, sipas ekspertëve, përcaktuese ka qenë gjendja e përgjithshme në tregje, likuiditeti dhe oreksi i investitorëve për të investuar.
Por, interesi i investitorëve për Shqipërinë duket se këtë herë ka pësuar rënie në raport me Eurobondin e kaluar. Këtë e tregon qartë raporti i mbulimit. Nëse në Eurobondin e vitit 2020, ky raport ishte rreth 5 herë, nga 650 milionë euro që kishte shpallur qeveria, kërkesa e investitorëve ishte 3.2 miliardë euro, këtë vit raporti i mbulimit ishte vetëm 1.8, pra për 650 milionë euro, kërkesa nga investitorët për financim ishte 1.2 miliardë euro. Sigurisht kjo argumentohet edhe me faktin se kemi të bëjmë me një borxh më afatgjatë sesa ai i vitit paraardhës.
Fqinjët marrin gjithmonë interesa më të mira
Interesat e Eurobondeve shqiptare kanë ardhur gradualisht në ulje, dhe ky është një tregues pozitiv. Përtej kësaj, në raport me fqinjët nuk arrijmë asnjëherë të jemi me interesa më të leverdishme se ata. Mjaft që të marrim në analizë emetimet e bëra këtë vit në rajon. Maqedonia e Veriut, për shembull, në mars të këtij viti doli për herë të tetë të tregjet e kapitalit.
Emetoi 700 milionë euro, me afat 7-vjeçar dhe me interesin më të ulët historik të saj prej 1.62%. Fondet u përdorën për të rifinancuar Eurobondin e marrë në vitin 2014, prej 500 milionë eurosh, ndërsa diferenca prej 200 milionësh u përdor për të plotësuar deficitin buxhetor. Kërkesa për financimin e Eurobondit maqedonas ishte në vlerën 1.6 miliardë euro, me të paktën 130 investitorë të interesuar.
Në shkurt 2021 ishte Kroacia e cila emetoi dy Eurobonde me vlerë 2 miliardë euro në tregjet e kapitalit. Eurobondi i parë kishte vlerë 1 miliard euro dhe afati i maturimit ishte 12 vjet, me maturim në vitin 2033, me një kupon prej 1.125% që paguhet çdo vit dhe me interes 1.257%.
Ministria e Financave e Kroacisë, në atë kohë, deklaroi se Eurobondi i dytë ishte sërish 1 miliard euro dhe është më afatgjati i marrë ndonjëherë prej saj në tregjet e kapitalit (20-vjeçar, maturim në 2041). Kuponi i këtij borxhi ishte 1.750%, kurse interesi 1.788%.
Raporti i mbulimit për të dy Eurobondet e Kroacisë ishte 3.2, një nivel i cilësuar mjaft i mirë, po të kemi parasysh që nga qeveria kroate u kërkua një emetim 2 miliardë euro në një ditë. Eurobondet u përdorën për të rifinancuar Eurobondin që maturohej gjatë vitit dhe për shpenzimet buxhetore sipas nevojës.
Serbia, në shtator, gjithashtu emetoi 1 miliard euro në shtator në tregjet e kapitalit. Kërkesa e investitorëve ishte 3 miliardë, duke çuar raportin e mbulimit në 3 herë, një nivel i kënaqshëm për Serbinë ku autoritetet u shprehën entuziaste lidhur me këtë interes dhe se ishte shumë më lart se pritshmëritë që kishin. Mbi të gjitha, interesi me të cilin u sigurua Eurobondi ishte më i ulëti ndonjëherë për një Eurobond 7-vjeçar të gjelbër, i cili kishte një kupon 1% dhe interes 1.26%
Pas Eurobondit borxhi mbi 80%, gjysma e tij në valutë, rreziku nga normat
Ministria e Financave parashikonte që pas huamarrjes së Eurobondit të ri, borxhi publik të shkojë pak më shumë se 80%. Rritja e vazhdueshme e niveleve të borxhit ka ngushtuar vazhdimisht hapësirën e disponueshme të Shqipërisë për huamarrje në rast nevoje apo shoku në ekonomi.
Për këtë arsye është theksuar vazhdimisht ulja e kufirit. Nxitimi i qeverisë për të dalë në tregje këtë vit lidhet që shumë shpejt pritet rritje e normave të interesit. Për ekspertët e tregut ky ishte momenti i fundit i përshtatshëm përpara fillimit të një cikli të ri sa u takon interesave, pasi rritja e inflacionit nuk shihet momentale.
Ekspertët e tregut pohojnë se përtej situatës së përgjithshme të borxhit dhe treguesve me të cilët sigurohet, rëndësi kryesore merr fakti se për çfarë do të përdoret dhe sa do t’i shërbejë ai ekonomisë dhe vendit. Ministria e Financave ka deklaruar më herët se Eurobondi i fundit do të përdoret për mbështetje të përgjithshme buxhetore.
“Do të alokohet për shpenzime publike në sektorë kyç si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura, si dhe në mbështetje të investimeve publike, të cilat synojmë t’i ruajmë mbi nivelin 5% të PBB. Një pjesë e Eurobondit do të mbetet në Thesar, për nevoja të financimit për vitin 2022” – do të deklaronte ministrja e Financave Delina Ibrahimaj pak ditë më parë.
Me huamarrjen e fundit, gjysma e borxhit publik të vendit është në valutë, duke e rritur rrezikun ndaj normave në rritje të interesit sikurse parashikohet që të ndodhë në vazhdim.
Historiku i Eurobondeve, stoku arrin në 1.8 miliardë euro
Dalja e parë ishte në vitin 2010, me vlerë 300 milionë euro. Ajo arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe afat maturimi 5-vjeçar.
Dalja e dytë e Shqipërisë ishte më 5 nëntor 2015, për 450 milionë euro. Kuponi fiks i siguruar në këtë dalje ishte 5.75%, me maturim 5-vjeçar.
Dalja e tretë në 2018 për Shqipërinë në tregjet e kapitalit shënoi interes më të favorshëm se Eurobondet e mëparshme. Nga kjo dalje u emetuan 500 milionë euro, me kupon fiks prej 3.50% dhe afat maturimi 7-vjeçar.
Në qershor të 2020-s, Shqipëria regjistroi daljen e katërt, ku u emetuan 650 milionë euro, me ofertë nga investitorët rreth 3.2 miliardë euro, me kupon 3.5%, interes 3.625% dhe maturim 7-vjeçar. Dalja e fundit e këtij viti është e pesta me një vlerë Eurobondi prej 650 milionë eurosh, me kupton 3.5% dhe me interes 3.75% ndërkohë që afati i maturimit është 10 vjet.
Luhatja e interesave në emetimet e Eurobondeve gjatë viteve ka qenë e lidhur me kushtet në tregjet ndërkombëtare në momentet përkatëse. Shqipëria ka një stok borxhi në instrumentin që njihet si Eurobond në vlerën 1.15 miliardë euro. Rritja e tij, me vlerë prej 650 milionë eurosh, sa u emetua zyrtarisht së fundmi, e çon stokun në vlerën 1.8 miliardë euro./ Revista Monitor
Top Channel