Në prezantimin e buxhetit 2022 për Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, kryeministri Edi Rama i ka dhënë rëndësi laboratorëve duke thënë se do të ketë rritje cilësore të këtij niveli.
Sipas Ramës, duke nisur nga viti i ardhshëm do të ketë ndryshim rrënjësor të laboratorëve që në fillim të vitit të ardhshëm me mirëpajisjen e tyre dhe të mësimit të informatikës. Kryeministri theksoi se laboratorët janë të varfër, ndaj duhet punuar që mësimi të mos bëhet vetëm në teori, por edhe në praktikë.
Rama: Është takimi i fundit që ne bëjmë në ciklin e takimeve për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe për hir të vërtetës, është takimi më i vecantë jo thjesht për faktin se jeni një kategori e veçantë, por se për këtë kategori buxheti i vitit të ardhshëm kanë pjesën e risive më të rëndësishme. Në kategoritë e tjera, gjërat janë pak a shumë në kuadrin e një vizioni dhe një pune të bërë prej disa vitesh. Këtu, sa i përket rinisë dhe fëmijëve, buxheti fillon të adresojë specifikisht disa çështje që janë të përditshmërisë tuaj qoftë në shkollë dhe pas shkolle. Për hir të vërtetës dua ta përsëris atë që tha Bora si një vlerë të shtuar të kontributit të drejtpërdrejtë të atyre ndër ju që kanë marrë pjesë në takimet për strategjinë e rinisë dhe atyre që kanë marrë pjesë dhe nuk janë këtu të pranishëm se na kanë ndihmuar për të kuptuar se cilat janë pikat kyçe ku mund të fillojmë të ndërtojmë një hartë të re të investimeve për kategorinë tuaj.
Ka qenë shumë interesante pjesëmarrja në takimet ku kam qenë për faktin se disa gjëra kanë qenë të përsëritura me këmbëngulje, pavarësisht se shkollat ku kemi qenë ishn njëra në veri, tjetra në jug të vendit dhe nuk kishte komunikim, por nevojat e identifikuara dhe shqetësimet e përbashkëta ishin shumë të ngjashme. Kjo është arsyeja përse ne për herë të parë kemi adresuar jo si zë të përfshirë në zërin e përgjithshëm të investimeve për shkollat, por nevojën për rritjen cilësore të nivelit të laboratorëve të shkollave.
E kemi vënë re në të gjithë takimet se laboratorët që ne kemi në ndërtesa, nuk arrijnë dot të plotësojnë nevojën e tyre për të ofruar mjete dhe instrumente cilësore që mësimi i teorisë të mund të kalojë në praktikë duke pasur në dorë të gjithë instrumentet e nevojshëm. Laboratorët janë të varfër, puna shpesh herë bëhet me fjalë, jo me instrumente në dispozicion dhe me eksperimente në potencialin e mundshëm të laboratorëve, ashtu sikundër për laboratorët e informatikës mund të thuhet që janë larg së qeni nevojës për të plotësuar nevojën e mësimit të informatikës që nuk mund të jetë thjesht teorik, por praktik dhe gjithëpërfshirës. Ne do të bëjmë një ndryshim rrënjësor të laboratorëve që në fillim të vitit të ardhshëm me mirëpajisjen e tyre dhe të mësimit të informatikës duke përfituar nga një mësim që na dha pandemia që kuptuam se nuk kemi pse të jemi në hapësirë fizike për të ndërvepruar.
Do ju vëmë në dispozicion mësuesit më të mirë që do të jenë trupa e udhëheqësve të të gjithë mësuesve të informatikës. Një mësues nga qendra e këtij sistemi të mund të komunikojë me shumë klasa në të njëjtën kohë dhe të rrisin kapacitetin e tyre në dhënien e mësimit të informatikës. Duhet të investojmë shumë në njohuritë teknologjike.
Top Channel