Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të martë deklaroi se kryeministri Edi Rama sa herë është kapur shah mat nga opozita dhe opinioni publik, ka krijuar gjithmonë një vorbull me idenë për të vazhduar abuzimin e tij me fondet.
Nga foltorja e Kuvendit, Basha tha se nuk mund të krahasohet me kryeministrin, pasi nuk e lejon mendësia dhe edukata, por as ato që ka bërë në shërbim apo në dëm të njerëzve.
“Nuk je ti albitri që mund t’i krahasosh, sigurisht as unë jo. Por për atë që mund të them për komunikimin tënd privat siç ju referove është maja e ajsbergut. Mjafton një google dhe e kupton se sa herë je shprehur vulgar, banal dhe fjalorin më të ulët para shqiptarëve. Ajo që më shqetëson mua është konteksti në të cilën ti i ke përdorur. Kur të kanë thënë se për çfarë arsye nuk e ke bërë ujësjellësin që na premtove dhe pastaj i ke futur një fjalë”, tha Basha.
Basha tha se nuk është komunikimi privat i një personi, por është komunikimi i kryeministrit të këtij vendi me një qytetar.
Gjatë fjalës së tij, Basha u ndal edhe tek lidhjet e kryeministrit me krimin, duke marrë shembullin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Basha theksoi se ish-ministri nuk dënohet nga gjykata për shkak se pas tij fshihet kryeministri Rama.
“Fjeti ish-ministri me qenin dhe u zgjua me morra. Por nuk del dot para drejtësisë, pasi morrat vërtetë hanë Saimir Tahirin, por për të kruajtur kruhet Edi Rama”, tha Basha.
Top Channel